A keni menduar ndonjëherë për një vend që ndodhet në zemër të gjithçkaje, ku natyra, historia dhe kultura përqafohen në një bashkëjetesë të mrekullueshme? Vlora Marina është pikërisht ky vend, një destinacion që sjell shijen e vërtetë të Mesdheut, duke ofruar një eksperiencë të veçantë dhe të papërsëritshme. Këtu gjeni si detin Adriatik ashtu edhe Jonin, rërën dhe terrenin shkëmbor, malin nga njëra anë dhe detin përballë. Nga këtu mund të nisni një udhëtim aventurash, eksperiencash dhe shijesh të ndryshme të cilat do t’ju udhëheqin drejt nje vendi të pasur në kulturë, histori dhe bukuri natyrore. Këtu mund të provoni shijet dhe aromat e kuzhinës mesdhetare dhe të njiheni me traditat që ruhen me fanatizëm dhe përcillen brez pas brezi si pjesë e pasurisë shpirtërore dhe kulturore. Vlora Marina ofron një përvojë unike të cilën mund ta eksploroni në të gjitha dimensionet.

  • foto galeri

Bukuritë natyrore
E gjithë Riviera shqiptare është një kombinim unik mes natyrës së paprekur, plazheve të mahnitshme me ujëra të kristalta dhe kurorës së maleve që në shumë raste takohen me detin dhe krijojnë një panoramë për t’u admiruar. Rreth 120 plazhe shkëmbore e ranore, gjire të fshehur e shpella karakteristike që të shfaqen papritur në rrugëtimin përgjatë gjithë vijës bregdetare të Rivierës, do t’ju bëjnë të përjetoni një eksperiencë të veçantë gjatë gjithë udhëtimit tuaj. E pasur me parqe natyrore, kala me pamje nga deti, laguna me flamingo rozë, kjo zonë ofron gjithçka të bukur që natyra i ka falur.

  • foto galeri

Kultura, tradita, historia
Shqipëria është një vend ku tradita, kultura dhe historia kanë pasur gjithmonë një peshë të rëndësishme. Gjurmët e së shkuarës janë ruajtur me fanatizëm, çka vihet re në arkitekturën e qyteteve dhe fshatrave sidomos në jug të vendit. Fshatra si Qeparo, Vuno, Dhërmi, Dukat etj ofrojnë një mundësi për të zbuluar mënyrën e jetesës së shqiptarëve ndër vite, në shtëpi prej guri të ndërtuara në terren të pjerrët, rrugica të ngushta dhe ndërtime që respektojnë si terrenin malor ashtu edhe atë detar. Nga ana tjetër qytete si Vlora, janë të pasura në histori me ndikime të periudhave ilire, romake e osmane. Ndërsa evente, festivale dhe ngjarje të ndryshme kulturore të cilat organizohen çdo vit, shërbejnë për të mbajtur gjallë traditat dhe kulturën e zonës.

  • foto galeri

Kulinaria
Vendndodhja e Shqipërisë në Gadishullin Ballkanik dhe në detin Mesdhe ka pasur një ndikim të madh në kuzhinën shqiptare. Shumë prej ushqimeve të zakonshme në pellgun e Mesdheut si ullinjtë, gruri, qiqrat, produktet e qumështit, peshku, frutat dhe perimet janë të spikatura në traditën e gatimit shqiptar. Disa nga pjatat tipike sidomos në jug të vendit janë mishi, peshku i freskët, të gjitha llojet e ushqimeve të detit të gatuara me erëza dhe vaj ulliri. Gjithashtu byrekët, apo tava e kosit, janë gatime tipike tradicionale që pëlqehen shumë nga turistët e huaj. Përsa i përket pijeve përveç rakisë, vlen të përmendet gjithashtu dhalla, një pije e prodhuar nga kosi dhe boza, pije e prodhuar nga misri dhe gruri.

Flora dhe Fauna e pasur
Gjithë zona e Rivierës shqiptare karakterizohet nga një florë dhe faunë e pasur, çka e bën edhe më shumë atraktive për të gjithë ata që duan të shijojnë natyrën dhe të eksplorojnë biodiversitetin. Pyjet e ullinjve, që shtrihen përgjatë brigjeve, janë një markë e këtij rajoni, dhe prodhojnë vaj ulliri të cilësisë së lartë që përdoret gjerësisht në kuzhinën lokale. Mali i Llogarasë dhe parku natyror i Vjosës janë shtëpi të shumë specieve të rralla të bimëve dhe kafshëve. Bimësia në këtë zonë është e përfaqësuar kryesisht nga makiet mesdhetare, si helmesi, pambuku i egër murizi, shqopa, dafina, thana, sherebeli, bajamja e egër etj.

Zona dallohet gjithashtu edhe nga një faunë e pasur me shumëllojshmëri peshqish dhe shpendësh. Ndërkohë një nga atraksionet natyrore më të veçanta është Laguna e Karavastasë që është shtëpia e shumë shpendëve migratorë duke përfshirë flamingot. Zona është gjithashtu e përsosur për ecje dhe piknik në natyrë.

Në gjithë këtë panoramë, Vlora Marina shërben si një përvojë që të lidh edhe më shumë me natyrën, historinë, shijet dhe shpirtin autentik të jugut të Shqipërisë. Pozicionuar në zemër të gjithçkaje ka gjithmonë diçka për të të rrëfyer, treguar e ofruar.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: