Qytetarët e Vlorës janë ngritur në protesta pas disa ditësh pa ujë të pijshëm, duke ndërhyrë në një mbrëmje gala të organizuar, ndërsa Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, foli sot nga foltorja e ngritur para Kryeministrisë, duke përkrahur qytetarët dhe duke kritikuar qeverinë.

“Sot e mbyllim protestën tonë për të vijuar vitin tjetër me protesta sërish. Kudo që shkoj gjej një vendosmëri absolute për t’u ndarë me këtë të keqe sa më shpejt. Shqiptarët presin me padurim largimin e kësaj bande nga pushteti,” deklaroi Berisha, duke theksuar se opozita është sot më e fuqishme dhe më e vendosur se kurrë për të përmbushur misionin e saj.

Ai përshkroi situatën dramatike të qytetarëve të Vlorës: “5 ditë pa ujë ishin. Qytetarët e Vlorës, dje, ia zunë kafshatën e mbrëmjes gala në fyt dhe i përzunë hajdutët nga salla ku festonin. Sot të rinjtë e Vlorës dhe qytetarët mbushën sheshin dhe bëjnë përgjegjëse qeverinë dhe Ramën për situatën e tyre dramatike.”

Berisha kritikon edhe problematikat më të gjera të vendit: mungesën e infrastrukturës dhe korrupsionin që ndikon në jetën e përditshme të qytetarëve. Ai përmendi raste të tjera në Shqipëri ku qytetarët duhet të përballen me barriera të padrejta dhe shpenzime shtesë, duke përmendur qytetet Has, Tropojë, Kukës, Elbasan, dhe duke i lidhur këto probleme me vjedhjen e parave publike.

Në fjalën e tij Berisha e vuri theksin tek, siç u shpreh, “fuqia e idealeve mbi çdo armë” dhe “rëndësinë e qëndresës qytetare”: “Se ata që qëndrojnë për ideale janë të pamposhtur dhe fitojnë. Këtij regjimi çdo ditë dhe orë që kalon, ky regjim është në shkërmoqje, në kalbëzim dhe rënie.”

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb