VLORË-Javën e ardhshme do të nisin punimet për fazën përfundimtare të projektit të ndërtimit dhe modernizimit të sistemit të kanalizimeve të qytetit të Vlorës, për të cilën Bashkimi Evropian ka akorduar një fond prej 21 milionë eurosh.

Kryetari i Bashkisë së Vlorës, tha të enjten gjatë mbledhjes së këshillit bashkiak se, pas përgatitjes dhe dorëzimit të dokumentacionit përkatës prej një grupi specialistësh, procedurat u zhvilluan dhe përfunduan brenda një kohe të shkurtër, ndërkohë që u përcaktua edhe kompania që do të zbatojë punimet, të cilat parashikohet të nisin javën e ardhshme. Marrëveshja është nënshkruar në muajin dhjetor të vitit të kaluar dhe gjatë kësaj kohe janë përgatitur procedurat përkatëse.

Përmes këtij investimi, që është edhe një nga më të mëdhenjtë në dekada për qytetin e Vlorës, do të ndërtohet sistemi i kanalizimeve dytësore e terciale në disa zona të qytetit, të cilat nuk ishin përfshirë në investimet paraardhëse, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e fondit është destinuar për rikonceptimin dhe modernizimin e impiantit të përpunimit të ujërave të zeza, për ta përshtatur atë me parametrat bashkëkohorë dhe ato të sistemit të ri të kanalizimeve të ujërave të zeza.

Përfundimi i punimeve, që pritet të realizohet brenda pak muajve, do të mundësojë përfshirjen në sistemin e ri të kanalizimeve të ujërave të zeza të të gjithë hapësirës urbane të qytetit, si dhe do të parandalojë derdhjen e këtyre ujërave në det. Ky investim, është pjesë e projektit të ujërave të zeza që është realizuar në disa faza. I pari përfundoi pak vjet më parë me një fond prej rreth 9.7 miliona euro të BE-së, gjatë të cilit u ndërtua një pjesë e sistemit magistral.

Në tërësi, ky projekt do të zgjidhë një nga problemet më shqetësuese të qytetit të Vlorës, trajtimin e ujërave të zeza dhe do të realizojë përmirësimin dhe ruajtjen e potencialit turistik të kësaj hapësire bregdetare. Ky sistem do të trajtojë 16 derdhje të pakontrolluara përgjatë bregdetit, që aktualisht përfundojnë në det.
(ed.me/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: