VLORE – Qindra banorë nga Vlora, Fieri, Lushnja por edhe nga zona të tjera të vendit janë dyndur dje në portin e qytetit bregdetar me synimin për të udhëtuar nga Italia drejt Gjermanisë për të kërkuar azil. Por ëndrra e tyre për një jetë më të mirë larg vendit të tyre është prerë në mes. Nisur nga situata e pazakontë e krijuar në portin e Vlorës, policia ka bllokuar 6 autobusë (me rreth 500 persona). Të gjithë personat që nuk dispononin dokumentacion të rregullt si dhe ftesa jo të rregullta nuk janë lejuar që të udhëtojnë me tragetin e linjës Vlorë-Brindizi. Pas fluksit të pazakontë të personave që kishin prerë biletat, policia e Vlorës zbuloi një skemë mashtrimi nga agjencitë turistike, që nisin qytetarët drejt Gjermanisë me premtimin se atje do të marrin statusin e azilantit.

Blutë e Vlorës kanë arrestuar pronarin e agjencisë së udhëtimeve “Agimi Travel”, Agim Muça, i cili akuzohet për falsifikim dokumentesh dhe ndihmë të kalimit të paligjshëm të kufirit. Policia bëri të ditur se përveç administratorit Muça, janë vënë në pranga edhe 4 persona të tjerë të akuzuar për kalim të paligjshëm të kufirit.

“Më datë 18.12.2014  nga strukturat e Drejtorisë së Policisë Qarku Vlorë u bë arrestimi në flagrancë për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Falsifikimi i dokumenteve” në ngarkim të shtetasve:

  1. Agim Vledini Mucaj, vjec 55, banues në lagjen “1 Maji”Fier, administrator i agjencisë së udhëtimeve ndërkombëtare ”Agimi Travel”;
  2. Shezai Bedo Aliaj, vjec 45, banues në fshatin Fitore, ofron shërbimin e Western Union në Novoselë;
  3. Kastriot Avdi Hoxhaj, vjec 43, banues në fshatin Fitore, Komuna Novoselë, gjithashtu u arrestuan për veprën penale “Moskallëzim krimi”  shtetaset,
  4. Denisa Avdul Mitro, vjec 26, banues në Fier, agjente e shitjes së biletave në agjensinë “Agimi Travel”,”;
  5. Matilda Pandeli Mazreku, vjec 26, banuese në Fier agjente e shitjes së biletave në agjensinë “Agimi Travel”. Si dhe ka filluar procedimi penal në ngarkim edhe të 4 personave të tjerë të dyshuar si të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Arrestimi i këtyre shtetasve u krye pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë bërë të mundur kalimin e paligjshëm të kufirit të një numri të konsiderueshëm qytetarësh nga Shqipëria për në Gjermani me qëllim përfitimin financiar duke dizinformuar qytetarët.

“Nisur nga informacionet e marra në rrugë operative se një grup personash i organizuar do të udhëtonin drejt Gjermanisë nëpërmjet pikës së kalimit Kufitar Porti Vlorë me qëllim kërkimin e azilit ekonomik në këtë shtet, nga strukturat e Drejtorisë së Policisë Qarku Vlorë në bashkëpunim me Shërbimet e Drejtorisë Rajonale për Kufirin & Migracionin Vlorë është organizuar puna me qëllim kontrollin dhe monitorimin e të gjitha procedurave standarde për kalimin e kufirit. Nga verifikimet e kryera në lidhje me dokumentacionin që dispononin personat që do të kalonin pikën e kalimit kufitar të Portit Vlorë ditën e sotme ka rezultuar se një numër i konsiderueshëm i tyre, konkretisht 245 persona kanë pasur mangësi të dokumentacionit të paraqitur dhe për këtë arsye janë prapësuar nga Shërbimet e Policisë.”- bën të ditur policia e Vlorës.

Ndërkohë nga strukturat e Policisë Vlorë janë shoqëruar në ambientet e policisë dhe janë kryer hetime duke u pyetur në cilësinë e personave që kanë dijeni për veprën penale 50 shtetas, kryesisht banorë të fshatrave të Komunës Novoselë-Vlorë, të cilët kishin siguruar bileta për të udhëtuar për në Gjermani me autobusët e agjensisë “Agimi Travel”. Në lidhje me këtë fakt, nga Policia janë sekuestruar të gjitha biletat udhëtimit dhe dokumentet justifikuese për kalimin e kufirit si dhe i gjithë dokumentacioni i agjensisë ‘Agimi Travel’ dhe pikës së Western Union në Novoselë, sherbimi i seciles ofrohet nga shtetasi Shezai Aliaj.

Nga tërësia e veprimeve hetimore dyshohet se nëpërmjet dizinformimit të përhapur në komunitetin e fshatrave të Komunës Novosele “se në shtetin e Gjermanisë ofrohet azil ekonomik”është nxitur interesi i komunitetit të kësaj zone për të udhëtuar drejt Gjermanisë me autobusët e agjensisë “Agimi Travel”. Gjithashtu për të bërë të mundur kalimin e kufirit të udhëtarëve, nga shtetasit Shezai dhe Kastriot Aliaj,  krahas shitjes së biletës nga Shqipëria për në Gjermani në pikën e Western Union në Novoselë, siguroheshin edhe ftesa të parregullta të cilat dyshohet se janë të falsifikuara.

Sipas policisë, nga deklarimet e marra shtetasve të shoqëruar polici, ka rezultuar se kanë ndërmarë udhëtimin për në Gjermani,  në disa raste familjarisht me qëllim për të kërkuar azil ekonomik në këtë shtet.

Intenerari i udhetimit ka qene nisja me autobuset e Agjensise Agimi Travel  nga Fshati Novosele  i Vlores si dhe nga vendi i quajtur Autogrilli ne qytetin e Fierit fillimisht  duke kaluar ne Pikën e Kalimit Kufitar të Portit Vlorë me pas Brindizi te Italise dhe me tej per ne Mynih te Gjermanise  ku dhe do te kerkonin azilin ekonomik. Shuma e parave te cilet keta shetas kane paguar per nje bilete vetëm vajteje ka qënë 140 euro për person.

Gjithashtu në deklarimet e tyre personat e mësipërm janë shprehur se janë ndier të mashtruar pasi për të siguruar mjetet financiare për udhëtimin janë detyruar të shpenzojnë kursimet e tyre, të marrin para borxh dhe të shesin sende të ndryshme me vlerë.

Mësohet se nga dokumentacioni i sekuestruar pranë agjensisë “Agimi Travel” ka rezultuar se ishin prenotuar edhe 320  bileta të tjera nga shtetas të ndryshëm të qyteteve të Elbasanit, Beratit dhe Durrësit,  ku kjo agjensi ka pika shitje të biletave,  me destinacion  Mynihun e Gjermanisë. Mendohet se pasi të mbërrinin në Gjermani këta shtetas do të aplikonin për azil ekonomik të nxitur nga dizinformim i përhapur.

Nisur nga ky fenomen nga strukturat e Drejtorisë së Policisë Qarku Vlorë në bashkëpunim edhe me agjensi të tjera ligjzbatuese janë duke u hetuar edhe disa agjensi të tjera udhëtimi ndërkombëtare të cilat mund të jenë të përfshira në këtë veprimtari.

“EKSODI”
Që në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në portin e Vlorës kanë mbërritur shumë banorë nga fshatra të këtij rrethi me autobusë të agjencisë “Agimi Travel”. Në të njëjtën kohë kanë mbërritur në port edhe drejtues të policisë së Vlorës, të cilët nisën të monitoronin situatën. Fillimisht nga ana e autoriteteve portuale u lejua hyrja e autobusëve të tjerë, ndërsa blutë nisën dhe kthimet e para të qytetarëve, të cilët nuk kishin leje të rregullt. Dyndja e pasa-gjerëve sillte ndërmend fluksin e viteve ’90-të, kur shqiptarët u dyndën drejt vendeve të Europës Perëndimore. Shumica e pasagjerëve deklaruan dje se do të udhëtonin për në Itali dhe më pas do të vijonin udhëtimin për në Gjermani me synimin për të fituar azil në këtë vend.
“Kohët e fundit shumë shokë dhe miq kanë shkuar dhe janë sistemuar në Gjermani sapo kanë mbërritur. Ata na thanë se ka një marrëveshje të fshehtë midis qeverive të të dyja vendeve për të marrë një numër të konsiderueshëm punonjësish nga Shqipëria, si azilkërkues dhe se afati i fundit është data 21 dhjetor. Pas kësaj date nuk do të pranohet asnjë person si azilkërkues ekonomik në Gjermani”, thanë disa prej personave që po prisnin të nisnin udhëtimin drejt Italisë. Pasagjerët që kanë prerë biletat për të udhëtuar drejt Italisë kanë paguar transportin me autobus për në Itali nga 70 deri në 90 euro, sipas qyteteve. Ndërsa, ata që kanë prerë biletat për në Gjermani kanë paguar nga 140 euro deri në 180 euro, sipas qyteteve shqiptare dhe atyre gjermane. Personat më të shumtë të mashtruar kanë qenë nga Komuna e Novoselës, kryesisht nga fshatrat Bishan, Novoselë, Akërni, Mifol dhe Fitore.
REAGIMI I MPB
Ministria e Brendshme, përmes një deklarate për mediat ka theksuar se çdo përpjekje për të kërkuar azil në vendet e BE-së në mënyrë abuzive, është absolutisht e papranueshme, pasi tashmë Shqipëria konsiderohet si një vend i sigurt dhe vendet e BE nuk i miratojnë kërkesat e këtij lloji. Nga ana tjetër, Policia e Shtetit po ndërmerr hetime ndaj çdo personi, shoqërie udhëtimi ose kompanie tregtare që organizon ose ndërmjetëson për udhëtimin e qytetarëve për qëllime të azilkërkimit dhe shkeljes së rregullave të lëvizjes së lirë në vendet e BE-së. Ministria e Punëve të Brendshme rikonfirmoi angazhimin e saj për të mos toleruar asnjë rast të abuzimit me të drejtën për të lëvizur lirshëm në vendet e Bashkimit Europian dhe me qëllimin e paligjshëm për të kërkuar azil në këto vende. Të gjithë qytetarët që nuk do të përmbushin kriteret e kërkuara nga ligji nuk do të lejohen të dalin nga kufiri i vendit”.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: