Dy persona janë arrestuar në kuadër të operacionit policor të koduar “Shëtitësit”, pasi dyshohen për vjedhjen e gjashtë bizneseve në Elbasan dhe Tiranë. Bëhet fjalë për dy shtetas, 39 dhe 18 vjeç, të cilët dyshohet se kanë vepruar në bashkëpunim, duke marrë shuma parash dhe produkte të ndryshme nga dyqane, lokale dhe subjekte të tjera.
Operacioni u finalizua nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, pas një hetimi të bazuar në këqyrjen e pamjeve filmike dhe grumbullimin e provave ligjore.
Në Elbasan, dy të arrestuarit dyshohet se kanë kryer tri vjedhje gjatë muajit nëntor. Konkretisht, më 22 nëntor kanë vjedhur në një dyqan në lagjen “28 Nëntori”, më 20 nëntor në një tabakino në bulevardin “Aqif Pasha”, ndërsa më 5 nëntor në një lokal në fshatin Vidhas.
Ndërkohë, 18-vjeçari dyshohet se është autor edhe i tri vjedhjeve të tjera në Tiranë. Sipas policisë, ngjarjet kanë ndodhur më 14 tetor në dy subjekte në rrugën e Kosovarëve dhe më 17 nëntor në një dyqan në rrugën “Liman Kaba”.
Gjatë kontrollit fizik ndaj 18-vjeçarit, policia gjeti dhe sekuestroi një sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa, një pistoletë sportive, një kaçavidë dhe një levë. Këto mjete dyshohet se përdoreshin për hapjen me forcë të dyerve të bizneseve.
Nga hetimet rezultoi se të dy të arrestuarit kishin precedentë kriminalë në fushën e vjedhjes. Gjithashtu, 18-vjeçari rezultonte i shpallur në kërkim nga Komisariatet e Policisë Nr. 2 dhe Nr. 6 në Tiranë, si dhe nga Komisariati i Policisë Korçë, për vepra të së njëjtës natyrë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
