Detaje të reja kanë zbuluar mënyrën se si funksiononte skema abuzuese në Bashkinë e Fierit, që çoi në nisjen e hetimeve dhe finalizimin e operacionit “Parking”, me disa masa sigurie ndaj zyrtarëve të lartë vendorë dhe tatimorë. Masë arrest në shtëpi u dha nga Gjykata e Fierit për Adela Hysenaj, ish-zv/kryetare e Bashkisë.

Sipas hetimeve të Policisë dhe Prokurorisë së Fierit, abuzimi kishte në thelb dy forma të organizuara të shpërdorimit të detyrës:

Mosfiskalizimi i parkimit nëntokësor

Zyrtarë të Bashkisë Fier, përfshirë ish-zv/kryetaren dhe ish-drejtoreshën e Taksave Adela Hysenaj, si dhe drejtorë të nivelit të lartë në Tatime, nuk zbatuan detyrimin ligjor për të pajisur me kasë fiskale shërbimin e parkimit nëntokësor që administrohej nga Bashkia.

Kjo shmangie sistematike bëri që të mos arkëtohej në buxhetin lokal shuma prej rreth 40 milionë lekësh, e cila duhet të ishte siguruar nga përdoruesit e këtij shërbimi. Pagesat për parkimin, megjithëse të mbledhura, nuk kalonin në rrugë zyrtare dhe nuk regjistroheshin në sistemin tatimor.

Ulje e qëllimshme e taksave për biznese të caktuara

Në një tjetër element të skemës, zyrtarë të Bashkisë Fier, nëpërmjet manipulimit të vlerësimeve fiskale dhe tarifore, ulnin në mënyrë të pajustifikuar taksat për subjekte të caktuara private. Këto lëshime të favorshme dyshohet se janë bërë kundrejt përfitimeve personale, duke u dhënë avantazh të padrejtë disa bizneseve në treg.

Në listën e personave ndaj të cilëve janë marrë masa sigurie përfshihen:

    • Adela Hysenaj, ish-zv.kryetare e Bashkisë Fier (arrest shtëpie)
    • Vasil Ceku, drejtor në Tatimet Rajonale (arrest shtëpie dhe pezullim)
    • Anisa Cjapi, drejtoreshë aktuale në Drejtorinë e Taksave (pezullim)
    • Martin Dodi, Sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë (pezullim dhe ndalim dalje nga Shqipëria)

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb