Një rast vjedhjeje i ndodhur gjatë natës në një lokal në zonën e Shijakut është zbardhur brenda pak orësh nga Policia. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, është identifikuar, kapur dhe vënë në pranga një 27-vjeçar, i dyshuar si autor i vjedhjes.
Sipas njoftimit zyrtar, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shijak, menjëherë pas marrjes së kallëzimit për vjedhjen e ndodhur në një lokal në fshatin Shahinaj, organizuan punën për identifikimin dhe arrestimin e autorit.
Si rezultat i reagimit të menjëhershëm dhe profesional të shërbimeve të Policisë, u arrestua në flagrancë shtetasi S. D., 27 vjeç, banues në Shijak, i cili dyshohet se ka vjedhur një shumë parash, pije alkoolike dhe cigare nga lokali i një shtetasi.
Nga veprimet hetimore paraprake, 27-vjeçari dyshohet gjithashtu si autor i disa vjedhjeve të tjera të ndodhura më parë, ndërsa Policia po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të këtyre rasteve.
