Finalizohet operacioni policor i koduar “Shtegtari” në Gramsh, ku u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi i një 53-vjeçari të dyshuar për disa vjedhje. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Gramsh, në bashkëpunim të ngushtë me strukturat e Policisë në Shkodër, arritën të lokalizojnë dhe të arrestojnë në flagrancë shtetasin S. M., 53 vjeç, banues në Shkodër, i cili rezulton me precedent penal në fushën e vjedhjeve.
Sipas policisë, 53-vjeçari dyshohet se më datë 9 prill 2026 ka vjedhur një shumë prej 125 mijë lekësh të rinj në një dyqan në Gramsh. Hetimet kanë zbuluar se ai është gjithashtu autor i një tjetër vjedhjeje të ndodhur më 21 dhjetor 2025 në Prrenjas, ku i ka marrë portofolin me para një 61-vjeçareje brenda një marketi.
NJOFTIMI I POLICISE
Gramsh/Finalizohet operacioni i koduar “Shtegtari”.
Vodhi një shumë parash në një dyqan, në Gramsh identifikohet dhe arrestohet, në bashkëpunim me strukturat e Policisë Shkodër, 53-vjeçari.
53-vjeçari me precedent penal për vjedhje.
Gjithashtu, i arrestuari autor i një tjetër vjedhjeje të një shume parash në një market në Prrenjas.
Sekuestrohet automjeti që dyshohet se ka përdorur gjatë kryerjes së vjedhjeve.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Gramsh, në vijim të punës intensive për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjeve, si dhe për zbardhjen e rasteve të ndodhura më parë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Shtegtari”.
Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë dhe shkëmbimit të informacionit me strukturat e Policisë Shkodër, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:
S. M., 53 vjeç, banues në Shkodër.
Ky shtetas dyshohet se më datë 09.04.2026, rreth orës 11:55, ka vjedhur një shumë parash prej 125 000 lekësh të rinj, brenda dyqanit të shtetasit L. D.
Në vijim të veprimeve hetimore, në bashkëpunim edhe me Komisariatin e Policisë Librazhd, dyshohet se ky shtetas është autori i vjedhjes së ndodhur më datë 21.12.2025, ku ka vjedhur portofolin me një shumë parash të shtetases H. K., 61 vjeçe, brenda një marketi në qytetin e Prrenjasit.
Gjatë operacionit u sekuestrua në cilësinë e provës materiale automjeti tip “Benz”, që dyshohet se është përdorur nga autori gjatë kryerjes së vjedhjeve.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje dhe për identifikimin e rasteve të tjera të mundshme të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
