Policia e Tiranës ka arrestuar një 17-vjeçar për një rast grabitje në një argjendari.
Blutë bëjnë me dije se adoleshenti ditën e djeshme, ka vjedhur varëse floriri me vlerë 12 mijë euro dhe është larguar nga vendngjarja.
“Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe procedurale, të kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “Golds”, pas njoftimit për një vjedhje në një argjendari në rrugën “Abdi Toptani”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 organizuan menjëherë punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit të mitur 17 vjeç, banues në Tiranë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, ditën e djeshme, ka vjedhur varëse floriri në një argjendari në një qendër tregtare në rrugën “Abdi Toptani”, dhe më pas është larguar me vrap nga vendi i ngjarjes.
Gjatë kontrollit, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale varëset e vjedhura.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njoftojnë blutë.
