Fotoja e 5-vjeçarit sirian Omran Daqneesh, që i ka mbijetuar shpërthimit të një bombe, ka prekur zemrat e njerëzve në mbarë botën. Gazetarja e CNN Kate Bolduan, gjatë një transmetimi drejtpërdrejtë, teksa ka raportuar mbi këtë ngjarje tragjike, nuk i ka mbajtur dot lotët.
Moderatorja e Studio e Hapur në “News24”, Eni Vasili ka publikuar në Facebook-un e saj videon ku gazetarja e CNN shpërthen në lot, duke sjellë në kujtime kohën kur jepte lajmet në RTVSH, në vitin 1997.
Gazetarja Vasili shkruan se e di shumë mirë çdo të thotë të mposhtesh emocionet e të ruash qetësinë edhe atëherë kur zemra të shpërthen nga dhimbja, zemërimi e ndjenja të tjera që ta trazojnë shpirtin.
STATUSI I PLOTE I ENI VASILIT
Gazetarja e lajmeve të CNN Kate Bolduan Begins shpërthen në të qara ndërsa jep lajmin për djalin e vogël Sirian të mbijetuar shpërthimit të një bombe ku humbi prindërit e tij. Lotët e saj nuk pushojnë…
Unë kam dhënë lajmet për shume vite gjatë karrierës time. Një numër i pafund edicionesh lajmesh, siglash, ndodhish ma përshkuan memorien ndërsa po shihja videon. E di shume mire çdo të thotë të mposhtësh emocionet e të ruash qetësinë edhe atëherë kur zemra të shpërthen nga dhimbja, zemërimi e ndjenja të tjera që ta trazojnë shpirtin. Një nga herët që e kam humbur kontrollin ka qenë viti 1997, ndërsa jepja lajmet e drekës në RTVSH dhe kronikat ishin të mbushura me vdekje të pakuptimta.
Kardiologu Nesti Kondili erdhi të bënte thirrje për ndaljen e asaj çmendurie bataresh dhe armësh dhe lotët më shpërthyen në transmetim të drejtpërdrejtë, kur transmetoheshin pamjet nga spitalet. Këtë më kujtoi kjo video sot .
(er.nu/BalkanWeb)
