Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, reagoi ashpër nga mbledhja e Byrosë së Kuvendit, ku u shqyrtua ankimimi për përjashtimin e deputetëve demokratë, duke e cilësuar procesin si të paligjshëm dhe në shkelje të rregullores parlamentare.
“Po na bëni gjyqin pa prova dhe fakte. Mbledhja për përjashtimin u zhvillua pa na u dhënë fjala dhe në shkelje të rregullores,” deklaroi Vokshi, duke akuzuar mazhorancën se kishte marrë vendimin paraprakisht.
Ajo sulmoi ish-ministrin Ulsi Manja, duke thënë se ai erdhi në mbledhje vetëm për të formalizuar një vendim të marrë më herët. “Vjen sot zoti Manja që të marrë një vendim që e ka dhënë vetë. Pse votuat për t’i mbyllur dyert mediave? Sepse nuk donit që mediat ta dinin se vendimi u mor në shkelje,” u shpreh deputetja demokrate.
Sipas Vokshit, mazhoranca nuk ka të drejtë të pezullojë mandatin e deputetëve të opozitës. “Mandatin e deputetit nuk e pezulloni dot ju, sepse na e kanë dhënë qytetarët,” tha ajo, duke e cilësuar vendimin si një precedent të rrezikshëm për demokracinë dhe pluralizmin politik.
Deputetja theksoi se vendimi i ankimuar nuk lidhet thjesht me përjashtimin e disa deputetëve, por përfaqëson një akt politik. “Çfarë po bëni sot? Një akt të rëndë politik që krijon një precedent të rrezikshëm. Ky është thelbi i pluralizmit. Ky vendim nuk ka të bëjë me përjashtimin e një deputeti, por me një vendim politik të një byroje politike. Edhe Enveri do ua kishte zili,” u shpreh ajo.
Në fund, Vokshi akuzoi mazhorancën për standarde të dyfishta, duke përmendur mosmbledhjen e Këshillit të Imunitetit. “Keni dy muaj që nuk mblidhni Këshillin e Imunitetit se ua thotë SPAK-u dhe me vrap mblidheni kur bëhet fjalë për opozitën,” përfundoi deputetja.
