Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, është shpallur e pafajshme nga Gjykata e Posaçme në çështjen për shpifje të ngritur ndaj saj nga biznesmenia Vilma Nushi.

Vendimi është përshëndetur nga Vokshi përmes një interviste të drejtpërdrejtë në News24, ku ajo e cilësoi këtë zhvillim si një “lajm të mirë” për të gjithë ata që kritikojnë dhe kundërshtojnë abuzimet e pushtetit.

“Ky është një lajm i mirë, jo vetëm për mua, por për çdo opozitar, deputet dhe qytetar që refuzon të heshtë përballë zullumit që ka shkaktuar kjo qeveri, veçanërisht në sektorin e shëndetësisë,” deklaroi Vokshi.

Ajo theksoi se padia e Vilma Nushit lidhej drejtpërdrejt me rolin e saj si kryetare e Komisionit Hetimor Parlamentar për koncesionet në shëndetësi, konkretisht për çështjet e “check-up”-it dhe sterilizimit. Vokshi sqaroi se ajo dhe opozita kishin denoncuar zyrtarisht në komision fakte dhe informacione që kishin në dispozicion, duke theksuar se padia ishte një përpjekje për të mbyllur gojën kritikëve.

“Vilma Nushi nuk erdhi asnjëherë në komision, ndërsa deputetët e mazhorancës votuan kundër thirrjes së saj, me urdhër politik,” u shpreh Vokshi, duke e konsideruar vendimin e gjykatës si një fitore për lirinë e fjalës dhe për zërat që denoncojnë korrupsionin.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb