Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, nuk do të vizitojë Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën gjatë turit të saj të ardhshëm në Ballkanin Perëndimor, më 30 shtator dhe 2 tetor. Komisioni Evropian ka bërë të ditur se vendimi lidhet me zgjedhjet e ardhshme në të dyja vendet, ndërsa vizitat do të zhvillohen në një datë të mëvonshme. “Duke pasur parasysh zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe të përgjithshme në Bosnjë-Hercegovinë dhe Serbi, presidentja synon t’i vizitojë këto vende në një datë të mëvonshme”, deklaroi zëdhënësja e Komisionit Evropian, Arianna Podesta.

Gjatë vizitës së saj në rajon, von der Leyen do të ndalet në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut, ku do të takohet me drejtuesit politikë dhe do të shohë nga afër projekte të financuara nga Bashkimi Evropian. Vendimi për të mos përfshirë Serbinë në këtë tur vjen në një periudhë të marrëdhënieve të tensionuara mes Beogradit dhe institucioneve të BE-së. Në ditët e fundit, von der Leyen dhe zyrtarë të tjerë evropianë kanë kritikuar pjesëmarrjen e zyrtarëve serbë në ceremoninë mortore për Ratko Mlladiç, ish-komandantin ushtarak serb të Bosnjës, i dënuar për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Komisioni Evropian e ka cilësuar glorifikimin e kriminelëve të luftës si në kundërshtim me vlerat evropiane dhe ka theksuar se një qëndrim i tillë bie ndesh me rrugëtimin e Serbisë drejt Bashkimit Evropian. Pas njoftimit të Brukselit, presidenti serb Aleksandar Vuçiç la të kuptohej se zgjedhjet mund të mos ishin arsyeja e vetme për mungesën e vizitës së von der Leyen në Beograd. Ai deklaroi se presidentja e Komisionit Evropian është në dijeni të opinionit publik në Serbi, duke mos dhënë më shumë detaje.

Më herët gjatë shtatorit, edhe Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, kishte anuluar një vizitë të planifikuar në Serbi, pas zhvillimeve që lidhen me ceremoninë mortore të Mlladiçit. Në Serbi, zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë planifikuar për 25 tetor, ndërsa në Bosnjë-Hercegovinë zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare do të zhvillohen më 4 tetor. Serbia mbetet vend kandidat për anëtarësim në BE, ndërsa Brukseli e lidh përparimin e saj në procesin e integrimit me përmbushjen e reformave dhe standardeve evropiane.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb