Te Vora ka nisur malorja, që pas humbjes me Elbasanin, duke u pasuar nga një tjetër humbje me Dinamon e që të dyja në shtëpi, pothuajse e kanë zhytur skuadrën debutuese, në një krizë rezultatesh, duke harruar të fitojë që nga 15 janari.

TRONDITEN POZITAT – Gjatë fazës së tretë ka arritur vetëm një fitore atë të startit të vitit 2026, ndeshjen me Partizanin. Edhe në renditje Vorës u janë thyer diferencat me rivalët. Kështu, Bylisi që ndodhet në zonën “play out”, është vetëm dy pikë larg. Dhe kur mendon se ndeshja e radhës do të jetë këtë të diel në Ballsh, rrezikshmëria për ta lënë vendin e 7-të është shumë e madhe. Po kështu po lëvizin edhe dy ekipet e fundit në tabelë, Tirana dhe Flamurtari, ku Vora ndodhet vetëm 5 pikë larg tyre e një humbje tjetër në Ballsh do ta ndërlikonte së tepërmi pozitat e Vorës, për të mbijetuar.

DËMTIMET, GANGRENA QË NUK JU NDA VORËS – Në ndeshjen e fundit ndaj Dinamos 6 lojtarë titullarë, ishin të pamundur për të qenë prezent në këtë ndeshje. Kështu Françesko Hasaj, Bernard Karrica, Renaldo Torraj, Dajan Shehi, Manfredas Ruzgis dhe Kevin Dalipi ishin jashtë. E duke pasur parasysh se disa lojtarë nuk do të jenë as në takimin e radhës si Hasaj që nuk e ka marrë veten pas operacionit dhe i duhen akoma kohë. Tashmë i shtohet edhe Dajan Shehi që ka probleme me shpatullën, pasi u dëmtua në ndeshjen kundër Elbasanit dhe i duhen akoma edhe më shumë se dy javë rikuperimi. Me probleme të lehta qëndrojë edhe të tjerët. Por përpos këtyre dëmtimeve Vora nuk do të ketë të gatshëm as mbrojtës e linjës së majtë, Jurgen Vrapi, i cili për shkak të kartonit të kuq, do t’i mungojë Vorës. Me morinë e gjithë këtyre problemeve Vora tashmë është futur në krizën e rezultateve, aq më shumë problemet janë shtuar edhe në ndërtimin e një formacioni, që i duhet të luftojë e të sakrifikojë për fitore në ndeshjen e radhës, ndryshe problematika e qëndrimit në superiore do të jetë prezente.

BERNARD KARRICA – Një lajm mirë është dhe rikuperimi i 25- vjeçarit të lindur në Gjakovë, Bernard Karrica, që pas operacionit, të kryer në Finlandë, e tashmë ai duket se e ka marrë veten dhe po stërvitet me ekipin. Madje ky është dhe golashënuesi më i mirë i vorakëve gjatë këtij sezoni, që vetëm në fazën e parë të aktivizimit të tij, arriti të shënonte 4 gola, dy prej të cilave Tiranës. Edhe pse lojtari nuk është në kondicionin e duhur, ai me shumë gjasa do të llogaritet në formacion titullar për takimin e radhës, duke qenë se numri i lojtarëve të munguar është shtuar dhe ky mbetet një alternativë, duke parë se Luis Felipe, Ruzgis e Folahan, nuk po japin atë që pritej aq shumë prej tyre, në vijën sulmuese.

KARRIERA – Ai erdhi tek skuadra vorake pas një karriere me ekipe ballkanike si në Kosovë, Slloveni e Kroaci. Herën e fundit ai në 6 vite karrierë ai ka luajtur me 6 ekipet të tre shteteve ballkanike si Dinamo Zagreb, SKF Sered, HNK Rijeka, Hrv Dragovoljac, ND Gorica dhe së fundmi Ballkani. Gjatë këtij sezoni me Vorën Karica është aktivizuar në 9 ndeshjet e fazës së parë, ka shënuar 4 gola dhe ka marrë një minutazh prej 752 minutash.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb