Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi ka zhvilluar sot një konferencë me gazetarët në kuadër të zhvillimeve të fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit.
Ai shpjegoi edhe si po ecën procesi i dorëzimit dhe votimit të diasporës për zgjedhjet, duke thënë se nuk ka problematika serioze dhe se gjithçka po shkon sipas parashikimeve.
Sipas tij, deri më tani rreth 70 mijë shtetas shqiptarë që jetojnë jashtë vendit kanë kthyer fletët e votimit, nga mbi 245 mijë emigrantë të regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhje. Kjo shifër përfaqëson afërsisht 30% të pjesëmarrjes deri në këtë fazë të procesit.
Celibashi konfirmoi se ende mbeten për t’u shpërndarë rreth 30 mijë fletë votimi nga kompania postare, por u shpreh optimist se do të realizohet në kohë, pasi kanë mbetur edhe dy javë deri në përfundimin e afatit të dorëzimit.
“Procesi është duke ecur mirë, madje më mirë se në disa vende të tjera që kanë përvojë më të gjatë me votimin e diasporës. Deri tani, mbi 70 mijë votues kanë kthyer fletët e votimit dhe presim që të tjerët të vijojnë të votojnë në ditët në vijim”, u shpreh Celibashi.
