Edhe pse kanë pasur debate të ashpra në një seancë maratonë plenare, PD dhe PS kanë bashkuar votat dhe kanë miratuar ndryshimet e reja në Kodin e Ri Zgjedhor, që lehtësojnë votën e diasporës.

Drafti i ndryshimeve është miratuar me 108 vota pro, dhe pas pëlqimit të presidentit Bajram Begaj, ndryshimet hyjnë në fuqi menjëherë.

Ndryshimet në Kod përfshijnë edhe afrimin e afatit në 12 mars, si data e fundit per regjistrimin e partive dhe kandidatëve në KQZ, për zgjedhjet e 11 majit.

Çfarë ndryshimesh parashikohen?

Ndryshimet e miratuara parashikojnë eliminimin e pagesave nga qytetarët dhe sigurojnë mbulimin e plotë të shpenzimeve për dërgesat postare të votave nga jashtë vendit.

Një tjetër ndryshim ligjor ka të bëjë me numërimin e votave që do të kthehen nga posta, i cili do të realizohet nga një komision dypartiak i balancuar.

Për më tepër, është arritur një marrëveshje për shkurtimin e afateve për regjistrimin e partive politike dhe kandidatëve në zgjedhje, me qëllim që të fitohet kohë për prodhimin e fletëve të votimit, të cilat do të dërgohen me postë jashtë vendit dhe të kthehen në kohë pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb