Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një takim me Departamentin e Çështjeve Sociale në selinë blu, ku një nga temat kryesore ishte përcaktimi i minimumit jetik dhe situata e pensionistëve në vend.
Berisha tha se më shumë se 40% e shqiptarëve përballen me vështirësi ekonomike që prekin kafshatën dhe shëndetin e tyre.
“Së bashku debatojmë për një problem i cili intereson jetën e më shumë se 40 për qind të shqiptarëve, prek kafshatën dhe shëndetin e gjysmës së popullatës në vend. Shqipëria është në një situatë dramatike në raport me shpërndarjen e të ardhurave, në raportin e rrogave me çmimet dhe është vendi i vetëm që nuk ka të përcaktuar një minimum jetik. Zhvillimet e 12-13 viteve të fundit, i shndërruan shqiptarët nga qytetarët me rroga e pensionet më të larta në rajon, në qytetarët me rrogat e pensionet më të ulëta. E vërteta është që nuk u ndoq as indeksimi i çmimeve”, tha ai.
Ai denoncoi se pensionistët përdoren në kohë elektorale, ku vota e tyre sipas tij blihet me “shpërblime’.
“Për pensionistët është gjetur një formulë mashtrimi elektoral, 50 euro vota e tyre në zgjedhjet lokale, 100 euro në zgjedhjet e përgjithshme, ndërkohë kontot bankare të qeveritarëve shkojnë në qindra milionë e miliardë. Më të keqtrajtuar se pensionistët shqiptar nuk ka dhe ata nuk e meritojnë. Jo vetëm që nuk u rritën pensionet, por edhe ata që mbaheshin me reminitancat, 35 përqind të parave ua mori droga sepse u zhvlerësuar euro. Jemi i vetmi vend ku euro është zhvlerësuar në mënyrë dramatike. Baronët e drogës me eurot që fusin reminitancat i përgjysmuan si vlerë”, tha ai.
