Kolegji Zgjedhor ka marrë vendimin për të rrëzuar kërkesën padinë e Partisë Demokratike, e cila kërkonte shfuqizimin e vendimit të Komisionit të Administratës Shtetërore (KAS).

PD kishte kundërshtuar lejimin e numërimit të votave të diasporës nga Greqia, duke e konsideruar këtë një shkelje të procedurave. Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi pranoi ankimimin e PD-së dhe urdhëroi pezullimin e numërimit për votat e Greqisë, të cilat u veçuan nga zarfet e tjera.

Ndërkohë, KAS rrëzoi urdhrin e Celibashit dhe vendosi që të pranohej numërimi i këtyre votave si pjesë e procesit zgjedhor.

Kolegji Zgjedhor, pas shqyrtimit të kërkesës, e ka cilësuar si të pavlefshme kërkesën e PD-së, duke konfirmuar kështu vlefshmërinë e numërimit të votave të Greqisë.

Klodiana Lala: Kolegji Zgjedhor vendosi të rrëzojë vendimin e PD, kundër vendimit të KAS dhe i hapi rrugë numërimit të votave për diasporën nga Greqia. KQZ “ngriu” procesin e numërimit të votave, por se KAS vendosi që zarfet të numërohen.

Votat e diasporës janë të rëndësishme edhe për rezultatin final në zgjedhje.

***

Ndërkohë, burime pranë KQZ-së bëjnë të ditur se numërimi i votave të diasporës shqiptare në Greqi do të nisë të shtunën në orën 8:30. Janë rreth 50 mijë vota të mbërritura me zarfe nga fqinji jugor të cilat u hoqën menjanë nga KQZ, pasi u kontestuan nga PD.

Nga ana tjetër, ka përfunduar numërimi i votave të ardhura nga shtetet e tjera.

246 mijë shqiptarë me banim jashtë vendit u regjistruan në sistemin online të KQZ për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Por nga këta, 194 mijë emigrantë shprehën verdiktin e tyre duke kthyer në KQZ zarfin me votën.

Rreth 20 mijë zarfe nuk mbërritën asnjëherë në destinacion ndërsa pjesa tjetër e përfaqësuesve të diasporës nuk denjuan të kthenin zarfin.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb