Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk gjen qetësi. Pas një procesi të gjatë të zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit, KQZ është thirrur sërish të angazhohet për përgatitjet dhe administrimin e zgjedhjeve të pjesshme lokale të 9 Nëntorit në bashkitë Tiranë, Vlorë, berat, Tepelenë, Mat dhe Cërrik, diktuar nga dekreti i Presidentit të Republikës.
Komisionieri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi dhe Komisioni Rregullator duhet të miratojnë një sërë aktesh të rëndësishme.
Ndërkohë që në të gjithë Qendrat e Votimit në 6 bashkitë do të vendosen pajisjet e identifikimit biometrik të zgjedhjeve, mbetet për tu parë nëse në ndonjë prej tyre do të votohet dhe numërohet elektronikisht.
Për herë të parë votimi dhe numërimi elektronik u zhvillua në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, në Njësinë 10 në Bashkinë Tiranë. Asokohe teknologjia u zbatua si një projekt pilot për të parë efektivitetin e saj. Më pas në zgjedhjet lokale të vitit 2023, votimi dhe numërimi elekronikisht u krye në 3 bashki Elbasan, Kamëz dhe Vorë. Së fundmi, në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit të këtij viti, me vendim të KQZ, qytetarët e Bashkisë Vorë dhe ata të Njësisë 10 të kryeqytetit votën që e hodhën në makinate elektronike, u numërua përmes pajisjeve të teknologjisë.
KQZ duhet të miratojë edhe vendime të rëndësishme që lidhen ndër të tjera, me përcaktimin e afateve se kur partive politike e më pas koalicionet zgjedhore do të duhet të regjistrohen zyrtarisht për të marrë pjesë në zgjedhje. Gjithashtu edhe vendimin mbi datën se kur kandidatët për kryebashkiak në 6 bashki mund të regjistrohen pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në një klimë të tensionuar politike, jo pak kureshtje do të marrë edhe fakti nëse pranë KQZ do të funksionojë zyra e koordinimit mes vetë Komisionit, SPAK dhe Prokurorisë së Përgjithshme për parandalimin e krimeve të mundshme zgjedhore.
