Mërgim Mavraj është një prej mbrojtësave më të mirë të “Bundesligës” dhe për këtë nuk ka më dyshime. Për shqiptarin zyrtarizimi i vlerave të tij ka ardhur nga vota e tifozëve të shumtë të cilët e kanë përzgjedhur atë në formacionin ideal të fazës së parë të kampionatit gjerman.
Në sondazhin e organizuar nga faqja zyrtare e këtij kampionati, “bundesliga.de”, mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare ka rezultuar më i votuar se Mats Humels e Zherom Boateng të Bajern Mynih, Hesus Vajeho i Eintraht Frankfurt dhe Uilli Orban i RB Lajpcig.
Vetëm Sokratis Papastatopulos i Borusia Dortmund ka marrë më shumë vota se mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare dhe bashkë me të përbën dyshen e qendrës së këtij formacioni ideal. Duhet theksuar se dy qendërmbrojtësit janë të vetmit që kanë marrë më shumë se 30 mijë vota në këtë sondazh.
Formacioni i përzgjedhur nga tifozët: Manuel Nojer – David Alaba, Sokratis Papastatopulos, Mërgim Mavraj, Filip Lahm – Ousman Dembele, Tiago Alkantara, Kristian Pulisiç – Pierr-Emerik Aubamejang, Robert Levandovski, Antoni Modeste
