Kreu i Grupit Parlamentar Gazment Bardhi ka reaguar sërish pasi PS rrëzoi kërkesën e SPAK për heqjen e imuniteti të Belinda Ballukut.

Nëpërmjet një statusi në Facebook, Bardhi thekson se mazhoranca dhe Edi Rama janë kërcënim për pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe integrimit europian të Shqipërisë.

Gjithashtu nënvizon se problemi i Shqipërisë nuk është mungesa e provave për korrupsionin e Belinda Ballukut, por është një kryeministër që pengon drejtësinë për një hetim të shpejtë dhe të pandikuar nga pushteti.

Reagimi:

Prej sot, mazhoranca e Edi Ramës është zyrtarisht kërcënim për pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe integrimit europian të Shqipërisë.

Ata votuan sot kundër SPAK-ut për një arsye të vetme: për të mbrojtur Edi Ramën dhe për t’i vendosur drejtësisë vijën e kuqe se deri ku lejohet të hetojë.

Për 10 vjet Edi Rama u tha shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë se askush nuk është mbi ligjin, por sot provoi të kundërtën.

Prandaj, problemi i Shqipërisë nuk është mungesa e provave për korrupsionin e Belinda Ballukut. Problemi është një kryeministër që pengon drejtësinë për një hetim të shpejtë dhe të pandikuar nga pushteti.

Integrimi europian matet me mënyrën si trajtohet korrupsioni në pushtet dhe me mënyrën si veprojnë institucionet për të mbrojtur ligjin. Sot Edi Rama dha përgjigjen më të keqe të mundshme: mbrojti korrupsionin dhe shpalli fajtore drejtësinë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb