Gjykata e Durrësit ka dënuar me burgim të përjetshëm Hysen Metën, për vrasjen e babait të tij, Pëllumb Meta.
Gazetarja Klodiana Haxhiaj raporton se dënimi do të vuhet në një burg të sigurisë së lartë.
Ndërkohë vëllai i tij Amarildo Meta është dënuar me 5 vite burg.
Motra e tyre Hygerta Meta është dënuar me 8 vite burg, nga 30 që ka kërkuar fillimisht prokuroria.
Ndërsa 3 vite burg ka dhënë gjykata për bashkëshorten e viktimës, Blerina Meta.
VENDIMI:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Hy.M për kryerjen e veprës penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, të parashikuar nga neni 79/c i K.Penal, dhe dënimin e tij me burgim të përjetshëm.
2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Hy.M për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, të parashikuar nga neni 278/4 i K.Penal, dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.
3. Pushimin e akuzës për të pandehurin Hy.M për kryerjen e veprës penale “Fshehja dhe asgjësimi i kufomës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 303 dhe 25 i K.Penal.
4. Në zbatim të nenit 55 të K.Penal, në bashkimim të dënimeve, dënimin e të pandehurit Hy.M me një dënim të vetëm me burgim të përjetshëm.
5. Deklarimin e fajtor të të pandehurës Hyg.M për kryerjen e veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetëstë parashikuar nga neni 301 i K.Penal, dhe dënimin e saj me 3 (tre) vjet burgim.
6. Deklarimin fajtore të të pandehurës Hyg.M për kryerjen e veprës penale “Fshehja dhe asgjësimi i kufomës”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 303 dhe 25 të K.Penal, dhe dënimin e saj me 5 (pesë) vite burgim.
7. Në zbatim të nenit 55 të K.Penal, në bashkim të dënimeve, dënimin e të pandehurës Hyg.M me një dënim të vetëm me 8 (tetë) vite burgim.
8. Deklarimin fajtor të të pandehurit A.M për kryerjen e veprës penale “Fshehja dhe asgjësimi i kufomës”, kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 303 dhe 25 të K.Penal, dhe dënimin e tij me 5 (pesë) vite burgim.
9. Deklarimin fajtore të të pandehurës B.M për kryerjen e veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, të parashikuar nga neni 301 i K.Penal dhe dënimin e saj me 3 (tre) vite burgim.
10. Vuajtja e dënimit nga i pandehurit Hy.M të kryhet në një burg të sigurisë së lartë, ndërsa vuajtja e dënimit nga të pandehurit Hyg.M, A.M dhe B.M të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
11. Në aplikim të nenit 190 të K.Pr.Penale, në lidhje me provat materiale, të disponohet sipas pjesës arsyetuese të këtij vendimi.
12. Shpenzimet e kryera në fazën e hetimit paraprak dhe shpenzimet gjyqësore u ngarkohen në mënyrë solidare të pandehurve Hy.M, Hyg.M, A.M dhe B.M.
13. Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar.
U shpall në Durrës, me datë 23.10.2025
Ngjarja:
10 shkurti i 2024-ës ishte edhe fundi i jetës së Pëllumb Metës, i cili ekzekutohet nga familjarët e tij. Një krim i rëndë i cili tronditi edhe më shumë opinionin publik sesi 4 familjarë, 3 fëmijët dhe nëna u bënë bashkë për të eliminuar kryefamiljarin e tyre dhe e varrosën në kasollen e bagëtive.
Sipas hetuesve, i gjithë plani i këtij krimi horror ishte i parapërgatitur deri në detaje. Por si u zbulua e vërteta dhe si nisi policia hetimet deri në zbardhjen e këtij krimi monstruoz?
Shefi i seksionit te hetimit të krimeve ndaj personit në Policinë e Durrësit, Ruzhdi Domi, i cili ka hetuar rastin që kur mbërriti kallëzimi në polici deri në zbardhjen e ngjarjes, shpjegon se si policia ra në gjurmët e së vërtetës.
Sipas grupit hetimor, fëmijët kishin realizuar të gjithë planin e fshehjes së krimit me detaje, nga largimi i makinës së të ndjerit, varrimi dhe fshehja e armës, të cilën sipas policisë dyshohet se e zotëronte i biri i viktimës, Hyseni. Ajo që i bëri më shumë përshtypje policisë në këtë krim ishte edhe qetësia e fëmijëve dhe bashkëshortes së Pëllumbit pas ngjarjes.
Fëmijët dhe nëna e tyre sipas grupit hetimor kanë dhënë deklarata kontradiktore për autorësinë e krimit, por në bazë të hetimeve të deritanishme policia deklaron se autor i qitjes së armës është djali i madh i Pëllumbit, Hyseni, i cili ka bashkëpunuar me motrën Hygertën. Hetuesit kanë bërë prova në poligon qitje me armë për të provuar nëse Hygerta di të përdorë armën.
Grupi hetimor të gjithë anëtarët e familjes po i heton si pjesëmarrës në krim, edhe pse bashkëshortja e Pëllumbit është poceduar në gjendje të lirë. Vëllai i Pëllumbit, Ramazani hedh akuza ndaj gruas së vëllait të tij.
Nga ana ligjore, policia e ka zbardhur ngjarjen ku kemi 3 anëtarë të familjes të arrestuar dhe një nën hetim, por cili ishte motivi i vërtetë i kësaj ngjarje kaq të rëndë, saqë bëri bashkë të gjithë fëmijët të vrisnin babanë tyre. Grupi hetimor po heton për motivin e ngjarjes, edhe pse shprehen të rezervuar për shkak të sekretit hetimor. Pista e fejesës së Hygertës se Pëllumbi donte ta fejonte pa dëshirë dhe dhuna në familje apo inçesti janë përjashtuar nga hetuesit. Hygerta iu nënshtrua edhe analizave gjinekologjike, ku vërtetua që nuk kemi të bëjmë me abuzim seksual.
