Valët e të nxehtit në Evropë: Nxehtësia ekstreme, e nxitur nga ndryshimet klimatike, ka shkaktuar mbi 2,300 vdekje në fund të qershorit

Një analizë e re nga grupi World Weather Attribution ka zbuluar se vala e të nxehtit që goditi Evropën nga 23 qershori deri më 2 korrik shkaktoi 2,300 vdekje në 12 qytete të mëdha, nga të cilat 1,500 i atribuohen ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor.

Milano, Parisi dhe Barcelona ishin më të goditurit, ndërsa Londra regjistroi 273 vdekje, me mbi 60% të lidhura me ngrohjen globale. Të moshuarit mbi 65 vjeç përbënin 88% të viktimave, shumica e të cilëve vdiqën në shtëpi ose spitale – larg vëmendjes publike dhe me pak mbulim mediatik.

Ekspertët e përshkruajnë nxehtësinë ekstreme si një “vrasës të heshtur”, duke paralajmëruar se ndikimet e saj po përkeqësohen dhe po anashkalohen, ndonëse janë më vdekjeprurëse se shumë fatkeqësi të tjera natyrore. Në disa qytete, temperatura u rrit deri në 4°C më shumë se normalja për shkak të prishjes së klimës.

Studimi ngre alarmin për një krizë shëndetësore në rritje, ndërsa të dhënat tregojnë se Evropa po përjeton gjithnjë e më shpesh valë të rrezikshme nxehtësie. Sipas Copernicus, qershori ishte muaji i tretë më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë globalisht, ndërsa temperatura mesatare e detit në Mesdheun perëndimor arriti nivelin më të lartë historik me 27°C.

Shkencëtarët paralajmërojnë se situata do të përkeqësohet nëse nuk merren masa urgjente për reduktimin e emetimeve dhe mbrojtjen e popullatës nga nxehtësia ekstreme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb