Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka nisur sot mbledhjen me kryetarët e degëve të PD-së, duke bërë akuza të rënda ndaj qeverisë dhe drejtuesve të saj. Gjatë fjalës së tij, Berisha e përshkroi situatën politike në Tiranë si “diktaturë autoritare” dhe hodhi pretendime specifike për përfshirjen e figurave pranë qeverisë në trafik droge dhe pastrim parash.
Sipas Berishës, “diktaturat autoritare janë të njohura, janë diktatura elitash dhe grupesh, por kjo e Tiranës është diktatura më e rrezikshme e planetit.” Ai vijoi duke akuzuar një person që, sipas tij, ka lidhje me kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë, dhe që “vetëm në një vit tregtoi 28 ton kokainë”.
Berisha identifikoi emrin e tij si Franc Çopja dhe tha se, sipas “të dhënave të agjencive ndërkombëtare të ligjit”, 17 ton u dërguan në Rotterdam dhe 11 ton në Antverp.
Berisha pretendoi më tej se përfitimet financiare nga këto aktivitete arrijnë vlerë “3 miliard euro”, dhe se këto fonde, sipas tij, përdoren për “fuqi elektorale, blerje votash” dhe për të konsoliduar pushtetin në vend.
Ai paralajmëroi se pastrimi i parave dhe ndikimi i grupeve kriminale shtrihen edhe jashtë Shqipërisë, duke përmendur vende si Paraguaji, Ekuadori dhe Uruguaj, dhe akuzoi forca të përfshira në krim për vrasje kundër kundërshtarëve politikë, gjyqtarëve dhe prokurorëve.
“Për Ramën do të thotë fuqi elektorale, blerje votash, dhunim ligji; për qytetarin e thjeshtë do të thotë varfërim, mjerim, vrasje, krim,” deklaroi Berisha.
