Policia ka dhënë detaje nga arrestimi i Sokrat Vatës, i riu i cili vrau turistin francez Miguel Mendes në lokalin “Principotes” në Ksamil. Vata u arrestua teksa ishte fshehur brenda bagazhit të një mjeti të drejtuar nga një shtetase turke. Po ashtu në mjet udhëtonte edhe një tjetër shtetas turk, ku së bashku me vajzën janë shoqëruar nga policia për veprime të mëtejshme hetimore.
Kapja e tij u bë si rezultat i koordinimit dhe bashkëpunimit të shërbimeve të Policisë të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Fier.
Detajet e Policisë
Autori i dyshuar u kap nga shërbimet operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e forcës “Shqiponja” të DVP Fier, në pikën e përbashkët të kontrollit të ngritur për kapjen e tij, në aksin rrugor “Levan-Fier”.
Autori i dyshuar, shtetasi S. V., 29 vjeç, ishte fshehur në bagazhin e një automjeti që drejtohej nga një 31-vjeçare, shtetase turke, ndërsa në automjet udhëtonte si pasagjer edhe një 38-vjeçar, shtetas turk.
Autori i dyshuar dhe dy shtetasit turq u shoqëruan në DVP Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Ndërkohë, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
