Gazetari Igli Çelmeta, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, ka ndarë detaje të rëndësishme lidhur me vrasjen e 48-vjeçarit Lulzim Visha në Zall Mner. Ngjarja e rëndë ka ndodhur dje, kur viktima u qëllua me armë zjarri nga dy persona.

Çelmeta tha se Visha është zënë në pritë nga dy persona që udhëtonin me një automjet tip Porsche. “Viktima ka dalë nga banesa e tij dhe, ndërsa ndodhej në makinën e punës, një person që ndodhej në sediljen e pasagjerit të automjetit ka qëlluar me armë zjarri drejt tij,” tha ai.

Pas kryerjes së atentatit, autorët dyshohet se janë larguar nëpër disa rrugica pranë vendit të ngjarjes dhe kanë djegur automjetin e përdorur në Zall Herr. Pranë mjetit të djegur, policia ka gjetur një armë automatike. Hetimet zbuluan gjithashtu se targat e makinës ishin vjedhur disa muaj më parë në Kamëz.

Policia ka arrestuar Eduard Lamin dhe ka shpallur në kërkim një tjetër të dyshuar. Fillimisht, ata u ndaluan për armëmbajtje pa leje, por dyshohet se janë të përfshirë në atentatin ndaj Vishës.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb