Vijojnë hetimet për ngjarjen e rëndë në qytetin e Pogradecit, ku 52-vjeçarja Kozeta Teço u gjet e pajetë në banesën e saj të përfshirë nga flakët. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se autori i dyshuar, Ilirjan Selmani, i cili është shoqëruar nga policia për eksperimente hetimore, dyshohet se ka pasur një lidhje intime me viktimën.
Ky detaj e zhvendos hetimin në një tjetër pistë të mundshme, ndërsa më herët ishte përmendur si motiv kryesor konflikti për çështje pronësie. Selmani, që banon në periferi të Pogradecit, është parë teksa shoqërohej nga efektivët drejt vendngjarjes, ndërsa ekspertët po punojnë për të zbardhur dinamikën dhe qëllimin e krimit.
Kujtojmë se fillimisht u mendua se viktima ishte asfiksuar nga zjarri, por më pas, pas ekzaminimit të trupit u dyshua se ajo ishte vrarë dhe më pas banesës i ishte vënë zjarri për të fshehur provat.
(BalkanWeb)
