Pasi ortaku i biznesmenit italian, Eqerem Braçi dhe dy djemtë e tij u liruan nga Policia e Gjirokastrës për mungesë provash, grupi hetimor është rikthyer në vendngjarje. Gazetarja Klodiana Lala konfirmon për BalkanWeb se hetuesit po kryejnë eksperimente hetimore, si dhe kontrollojnë zonën.
Biznesmeni italian u ekzekutua me një plumb, gëzhoja e të cilit nuk është gjetur ende. Gjithashtu, dyshohet se 44-vjeçari Edoardo Sarchi është qëlluar nga nje person i tretë, ku bëhet e ditur se policia ka identifikuar dhe ka shpallur në kërkim një person nga Vlora, i cili dyshohet se mund të ketë lidhje me ngjarjen.
Vrasja ndodhi mesnatën e së premtes, në një terren malor pranë fshatit Salari, duke pamundësuar pasjen e dëshmitarëve okularë për këtë ngjarje, ndërsa mbetet ende e paqartë nëse 44-vjeçari italian u ekzekutua në vendin ku u gjet makina.
Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se viktima dhe ortaku i tij Eqerem Braçi kanë lëvizur me dy makina të ndryshme, njëri me Volfsëagen dhe tjetri me Land Rover, ndërsa policia ka gjetur në to 2 armë gjahu, të cilat janë çuar për ekspertim, për të verifikuar nëse qitja është kryer me to apo ekzekutorët kanë qëlluar me armë tjetër.
Biznesmeni italian nuk rezulton i skeduar nga policia shqiptare apo ajo italiane dhe nga verifikimet e kryera nuk rezulton të ketë pasur konflikte me persona të tjerë.
Për ngjarjen policia u njoftua nga ortaku i tij Eqerem Braçi, i cili në dëshminë e parë tha se një person i armatosur iu ka dalë përpara, duke ua bërë me dorë, mandej qëlloi drejt tyre. Trupi i 44-vjeçarit italian u gjet disa metra larg makinës së tij, ndërsa Eqerem Barçi tha se u nxor prej tij nga makina për t’i dhënë ndihmën e parë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb