Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vijuar dëshmia e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Artan Tafani, lidhur me aktivitetin e grupit kriminal të Laert Haxhiut. Gjatë dëshmisë së tij, Tafani ka rrëfyer në detaje momentin e vrasjes së Çajup Selimit, ngjarje që ndodhi në Tepelenë.

“Kur mbërrita te pallati ku banonte Çajupi, qëndrova pranë hyrjes. Në atë moment dëgjova një makinë që më ngjante me atë që përdorte ai – një Benz. E pashë që u afrua, dhe u përballëm ballë për ballë. Kisha vendosur një maskë COVID-i dhe një kapele për të mos u njohur. Ai më shikoi me dyshim.

U fut brenda në pallat dhe nisi të ngjitej lart – fillimisht në katin e parë, pastaj në të dytin. E ndoqa pas, me kujdes. E njihja mirë, ishte tullac dhe mbante veshur një bluzë të kuqe atë ditë. E qëllova nga pas, tre herë. Një nga plumbat e kapi në shpatull, për dy të tjerët nuk jam i sigurt se ku ranë.

Pasi e qëllova, u largova me nxitim në drejtim të Burgut të Bënçës. Gjatë rrugës rashë në disa ferra jashtë qytetit. Armën – një Beretta e vogël me silenciator – e kisha ende me vete. Po kërkoja rrugicën që më çonte te lumi Vjosë, ku sipas planit do më priste Ligori.”

Çajup Selimi thuhet se u vra për çështje nderi, pasi dyshohet se ai kishte ngacmuar nënën e një prej anëtarëve të grupit të Laert Haxhiut.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb