40-vjeçari Besnik Koldreu do të vijojë të qëndrojë pas hekurave, pasi Gjykata e Lezhës la në fuqi masën e sigurisë “Arrest në burg”, në kuadër të hetimeve për vrasjen e çiftit Kreshnik dhe Gentjana Mujeci në fshatin Balldre të Lezhës.
Gjatë seancës së zhvilluar me dyer të mbyllura, Koldreu ka mohuar çdo përfshirje në ngjarje. Ai ka deklaruar se jeton dhe punon në Mal të Zi dhe se nuk ka pasur dijeni për automjetin e përdorur nga autorët e dyshuar, i cili u gjet i fshehur pranë banesës së tij në Torovicë.
Pavarësisht pretendimeve të tij, Gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë dhe vendosi ndaj 40-vjeçarit masën “Arrest në burg” për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, e kryer në bashkëpunim.
Besnik Koldreu u arrestua më 17 qershor në Ulqin, pasi ishte shpallur në kërkim si përkrahës i autorëve të vrasjes së çiftit Mujeci. Ndërkohë, tre persona të tjerë të dyshuar si autorë të vrasjes Renato Mhillaj, Florin Mhillaj dhe Adriano Mhillaj, vijojnë të jenë në arrati.
Kreshnik dhe Gentjana Mujeci u ekzekutuan më 26 prill, teksa po lëviznin me automjetin e tyre në aksin Balldre–Torovicë. Sipas hetimeve paraprake, krimi dyshohet të ketë ndodhur për motive hakmarrjeje, pasi Kreshnik Mujeci, vëllai dhe kushëriri i tyre u akuzuan për vrasjen e Genc Mhillajt në vitin 2016, akuzë e cila nuk u provua nga organet e drejtësisë.
