TIRANE-Bashkëshortja e dëshmitarit të mbrojtur ka dhënë dëshminë e saj sot në Gykatën e Krimeve të Rënda, për procesin gjyqësor ndaj Arben Frrokut, i akuzuar për vrasjen e kryekomisar, Dritan Lamaj. Liza Ndoka (emri i ndryshuar) ka folur përmes një videokonference në një seancë me dyer të mbyllura për median, në një sallë të veçuar nga i akuzuari. Ajo është bashkëshortja e dëshmitarit tjetër të marrë në mbrojtje, Arben Ndoka. Burime nga Gjykata e Krimeve të Rënda konfirmuan për gazetaren tonë, Klodiana Lala se gjatë dëshmisë së saj, Liza ka mbështetur dëshminë e bashkëshortit.
Në ngjarjen e shkurtit të 2013-ës, Liza ka pohuar të njëjtat gjëra si i shoqi. Liza Ndoka pohon se ka qenë me bashkëshortin në një shëtitje, ndërkohë që ka dëgjuar krisma dhe përpara këmbëve të tyre ka kaluar një makinë me shumë shpejtësi. Ka qenë bashkëshorti i saj Arben Ndoka që ka pohuar se ka parë Arben Frrokun në makinen prej nga u qellua Dritan Lamaj. Me pare Arben Ndoka pohoi se pak caste pas vrasjes së Lamajt, në automjetin BMW me targa Durrësi nga ku u qëllua kryepolici, ajo ka mundur të fiksojë dy persona me kapuç dhe Arben Frrokun të pamaskuar në sendilen e parë të një BMW.
Dëshmia e sotme rëndon më tej pozitën e Frrokut në këtë gjyq kundër tij.
Sot të dy avokatët e tij kanë kundërshtuar deklaratatën e dëshmitares së mbrojtur, pasi pretendojnë se në dëshminë e saj ka deklarime kontradiktore të cilat sipas mbrojtësve bien ndesh me deklarimet e dhëna i shoqi i saj i njohur me emrin Arben Ndoka.
Pas marrjes së kësaj dëshmie, Gjykata e Krimeve të Rënda është në fund të procesit ndaj Arben Frrokut. Shumë shpejt do të jepet vendimi nëse Arben Frroku është ose jo fajtor për vrasjen e Dritan Lamaj.
Frroku vetë deklaron se është i pafajshëm. Ai thekson se në orën kur ka ndodhur krimi ndodhej në Elbasan duke udhëtuar për në Greqi.
Biznesmeni Arben Frroku u arrestua në Selanik për llogari të drejtësisë shqiptare dhe në dhjetor të 2014 u ekstradua në vendin tonë.
(d.b/BalkanWeb)
