Për hetuesit është konsideruar një dëshmi kyçe ajo e kamerierit të lokalit në Manzë të Durrësit, ku pas një sherri për motive banale, dy të rinj u vranë.
Gazetarja Klodjana Haxhiaj ka siguruar për BalkanWeb dëshminë e kamarierit, që ky i fundit ka dhënë për hetuesit e çështjes. Ai tha se në momentin kur ndodh ngjarja ishin 5 veta në lokal.
“Daniel Pepa erdhi në lokal dhe më kërkoi një kafe. Bashkë me Daniel Pepën ishte edhe një shok i tij. I thashë që nuk ta bëj dot kafenë se ekspresi kërkon kohë të ngrohet. Ekspresin e kisha fikur që në orën 00:00, më tej nuk shërbejmë. Kur i thashë se nuk ta bëj dot kafenë, Danieli më ofendoi. Ai ngulmoi t’ia bëja kafenë. Nuk i ktheva përgjigje, por ndërhyri Flori Paluçi. Flori Paluçi i tha Daniel Pepës që të mos më fyente. Paluçi dhe Pepa debatuan me njëri-tjetrin, më pas dolën te dera.”, tha Alteo Pepa, 21 vjeç.
DINAMIKA E NGJARJES
Sipas të dhënave nga grupi hetimor, Daniel Pepa së bashku me Arianit Kurtin kanë shkuar në lokal dhe Danieli i ka kërkuar kamerierit të lokalit që t’i bënte një kafe. Kamerieri i është përgjigjur që ekspresi ishte i fikur dhe se nuk mund të bënte kafe. Më pas, sipas informacioneve, Danieli i ka kërkuar që ta ndizte ekspresin duke përdorur edhe fjalë fyese në drejtim të kamerierit.
Aty ka ndërhyrë Flori Paluçi, i cili i ka thënë që t’i nuk mund ta fyesh, pasi kamerieri është ulur në tavolinë me mua. Pas këtij momenti kanë nisur debatet verbale mes tyre dhe kanë degjeneruar deri në përdorimin e armës së zjarrit. Sipas dinamikës paraprake, i pari që ka qëlluar është Flori Paluçi, i cili ka vrarë Arianit Kurtin, dhe më pas Daniel Pepa ka qëlluar duke lënë të vrarë Paluçin.
