Në Shënjestër/ Dokumentari
Edmond Papa ndërroi jetë me të mbërritur në spital. Ndërkohë që ekzekutimi i tij mafioz, zgjoi kureshtjen se kush ishte ky personazh. Deri në këtë moment i panjohur për publikun. Përse ai u vra në atë mënyrë dhe cili ishte aktiviteti i tij që i solli edhe fundin fatal. Çfarë dinte policia rreth këtij personazhi. Dhe çfarë e lidh atë me disa ngjarje të rënda kriminale të mëhershme por që do të pasonin edhe pas vrasjes së tij. Për të parë se kush ishte ky personazh dhe cila ishte e shkuara e tij e errët, emisioni ‘Në Shënjestër’ ndërtoi edhe njëherë ditën e tij të fundit përpara se plumbat t’i merrnin jetën.

Sipas itinerarit të ndërtuar nga policia, ditën e ngjarjes, Edmond Papa, udhëtoi nga Saranda drejt Fierit. Aty ku thuhet se mori nënën e tij. Me qëllim për ta sjellë në Tiranë. Për të kryer kontrolle shëndetësore. Me të mbërritur në Tiranë, ai thuhet se u kthye të qëndrojë te shtëpia e vëllait të tij në zonën e Selitës në kryeqytet. Kjo, pasi gjatë pasdites, ai e kishte lënë me të afërmit e tij që të shkonin në spital me qëllim për të kryer kontrollet e planifikuara shëndetësore, të nënës së tyre. Gjë që nuk e bë e mundur për shkak të ekzekutimit të tij, po atë pasdite që kishin lënë të kryenin vizitat mjekësore.

Një itinerar që mesa duket nuk ka qenë i paditur për autorët e vrasjes së tij të cilët me shumë gjasa, e kanë ndjekur përgjatë gjithë lëvizjes së tij. Duke e mbajtur në vëzhgim, pse jo, për një kohë të gjatë. Dyshim që vërtetohet edhe nga fakti që ai u vra pikërisht në momentin, kur doli të konsumojë kafenë e pasdites në lokalin që ndodhej poshtë pallatit ku banonte vëllai i tij.

Dosja Hetimore
Më datë 16 Dhjetor 2022 rreth orës 16.20 Edmond Papa lindur në Kurjan/Fier dhe banues në Sarandë ka shkuar për të pirë kafe në lokal ‘Green Garden’ që ndodhet përballë banesës së vëllait të tij, ku është ulur i vetëm në një nga tavolinat e rreshtit të parë, në verandën e këtij lokali.

Gjatë kohës që ai kishte porositur dhe po konsumonte kafenë, në këtë moment aty është afruar një person me fytyrë të mbuluar dhe me pistoletë në dorë, i cili ka qëlluar disa herë në drejtim të tij duke e plagosur rëndë. Si pasojë e të shtënave me armë zjarri pistoletë, Edmond Papa ka marrë disa plagë në pjesën e sipërme të trupit dhe është munduar që të largohet duke u futur në ambjentet e brendshme të lokalit, derisa është rrëzuar përtokë, ndërsa autori është larguar me vrap nga vendi i ngjarjes. Sipas dëshmitarëve okularë, autori i vrasjes së Edmond Papës, është dalluar të jetë një djalë i ri, me trup mesatar, pak i mbushur, i cili mbante në kokë një kapuç me ngjyrë blu të errët, ndërsa në duar, ku dalloheshin dorezat e zeza, një armë zjarri tip pistoletë.

Nga krehja e mëtejshme e kamerave të sigurisë, ajo që u konstatua është se autori zgjodhi të dalë nga një derë e pasme e lokalit. Për të humbur gjurmët midis pallateve të zonës. Ku me siguri është pritur nga bashkëpunëtorët e tij. Ndërkohë që ikja e tij duket se u favorizua edhe nga muzgu i asaj fund-dite në Tiranë, që i mundësoi një largim të qetë, larg syve të njerëzve. Periudhë e ditës, që mesa duket ka ulur edhe vigjilencën e viktimës, i cili me siguri nuk e ka pritur që autorët do vepronin në një moment të tillë. Dhe për më shumë poshtë, banesës së vëllait të tij.

Dosja Hetimore
Menjëherë pas ngjarjes u njoftua shërbimi i urgjencës dhe i dëmtuari u transportua me ambulancë në Spitalin Universitar të Traumës, por si pasojë e plagëve të marra gjeti vdekjen. Në vendin e ngjarjes ndër të tjera u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 9 copë gëzhoja, dy copa bërthamë predha, dy pjesë këmishe predhe, si edhe një tavllë duhani me ngjyrë të bardhë. Por siç e thamë, me interes për grupin hetues ishin edhe lëvizjet e autorit të krimit, para dhe pas ngjarjes.

Ku ajo që vihet re nga kamerat e sigurisë është se para se të vepronte, ai u sigurua deri në fund, lidhur mbi përputhmërinë e viktimës me objektivin e tij. Me qëllim që të mos kishte mëdyshje mbi shënjestrën e tij. Ku porosia duket se ishte marrë eleminimi i tij me çdo kusht.

Dosja Hetimore
Gjatë fazës së hetimit, u administruan regjistrimet filmike të kamerave të sigurisë të disa subjekteve private përgjatë itinerarit nga ku mendohet se ka lëvizur autori për të shkuar dhe për tu larguar nga vendi i ngjarjes. Po kështu u sekuestrua edhe serveri i kamerave të sigurisë që monitoron ambientet e jashtme të banesës së vëllait të viktimës. Nga kqyrja paraprake e kamerave të sigurisë rezulton se rreth orës 16.17, një person i seksit mashkull afrohet në këmbë në trotuarin përpara lokal ‘Green Garden Bar’ ku përballë tij në anën tjetër të rrugës gjendet banesa e vëllai të viktimës. Ky person (autori) qëndron në këmbë me dorën e djathtë të mbledhur në lartësinë e gjoksit për rreth 4-5 minuta dhe më pas futet në ambjentet e brendshme të lokalit dhe vetëm pas pak çastesh shikohet që del prej aty dhe largohet me vrap në drejtim të pallateve të INSIG.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: