Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj e ka quajtur një alarm kombëtar vrasjen mafioze të ndodhur pranë Aeroportit të Rinasit, ku mbeti i vdekur Gilmando Dani dhe u plagos një punonjës i Agjencisë së Mbikqyrjes Policore që e shoqëronte.

Teksa ka shpërndarë në rrjetet sociale videon e plotë të momenteve të ekzekutimit në një vendndodhje ku kushtet e sigurisë duhet të ishin shumë të larta, Shehaj thekson se është e qartë që bosët e krimit lëvizin lirshëm me mbrojtjen nga Policia.

“E njëjta polici për të cilën SPAK ka ngritur disa herë alarmin se i dekonspiron aksionet dhe ka ndihmuar personazhe nga bota e krimit dhe politikës të arratiset duke dështuar disa operacione arrestimesh” thekson Shehaj.

Kreu i Mundësia i bën thirrje organeve të drejtësisë që të mos ndalen tek hetimet dhe arrestimet e banditëve, por “të shkojë deri lart tek politika që i mbron”.
“Në një vend normal, një atentat mafioz pranë Aeroportit do të ishte alarm kombëtar.

Kur një bos krimi vritet në mes të ditës, i shoqëruar nga një Agjent i Mbrojtjes Policore i cili kthehet në ‘truprojën’ e kriminelit, kjo tregon qartazi se sa e implikuar është Policia e Shtetit me krimin.

E njëjta polici për të cilën SPAK ka ngritur disa herë alarmin se i dekonspiron aksionet dhe ka ndihmuar personazhe nga bota e krimit dhe politikës të arratiset duke dështuar disa operacione arrestimesh.

Ndërsa ministrja flet për suksese, realiteti është se mafia lëviz me mbrojtje nga policia.
Shqipëria nuk do të jetë e sigurt derisa pushteti të ndahet nga krimi dhe drejtësia të mos ndalet te bandat, por të shkojë deri lart te politika që i mbron”, shkruan Shehaj.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb