Sekretari i Përgjithshëm, Tedi Blushi, në një deklaratë për mediat ka reaguar për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja në Gjykatën e Apelit.
Blushi u shpreh se ky akt i paprecedentë është atentat i drejtpërdrejtë ndaj shtetit të së drejtës , rendit kushtetues dhe jetës në Shqipëri.
Ai shtoi më tej kjo ngjarje është një kambanë alarmi për shoqërinë shqiptare dhe nënvizoi se Partia e Lirisë në emër të qytetarëve kërkon dorëheqjen e ministres së Punëve të Brendshme, Albana Koçiu.
Deklaratë e plotë e Sekretarit të Përgjithshëm, Tedi Blushi:
Akti i paprecedentë terrorist i ekzekutimit me armë zjarri të gjyqtarit Astrit Kalaja, brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit, është një atentat i drejtpërdrejtë ndaj shtetit të së drejtës, rendit kushtetues dhe vetë jetës në Shqipëri.
Është një krim shumë i rëndë që trondit ndërgjegjen kombëtare dhe që zbulon lakuriq realitetin tragjik në të cilin ndodhet vendi: një Shqipëri ku krimi sfidon pa frikë ligjin, ku armët flasin edhe brenda sallës së gjyqit, aty ku drejtësia duhet të sundojë me autoritetin më të lartë.
Ekzekutimi i gjyqtarit Kalaja, në krye të detyrës, përbën dëshminë më të qartë, më tronditëse dhe më brutale se krimi i organizuar dhe ai ordiner kanë fituar terren të pakthyeshëm dhe tashmë kanë depërtuar në zemër të institucioneve, duke goditur dhe vrarë pa mëshirë vet simbolet e drejtësisë dhe të shtetit.
Ky akt barbar nuk është një rast i izoluar. Është rezultati i drejtpërdrejtë i një qeverisjeje të dështuar, që ka shpërbërë institucionet shtetërore, ka shkatërruar autoritetin e ligjit dhe i ka lënë të hapura dyert për depërtimin e strukturave kriminale në çdo qelizë të shtetit. Një qeveri që për vite me radhë ka dështuar të ndërtojë shtyllat e rendit dhe sigurisë, ka braktisur policinë, ka injoruar alarmet, dhe ka mbajtur një qasje të heshtur përballë kapjes së shtetit nga elementë të inkriminuar.
Sot, krimi nuk vepron më në hije. Ai godet në dritë të diellit. Ai vret brenda sallave të drejtësisë. Ai provokon publikisht shtetin dhe i bën qytetarët të ndihen të pambrojtur, të frikësuar dhe të braktisur.
Vrasja e gjyqtarit Kalaja është jo vetëm një tragjedi e thellë për sistemin e drejtësisë, por edhe një kambanë alarmi për të gjithë shoqërinë shqiptare. Ky nuk është më vetëm një krim penal, por një sinjal i qartë se Shqipëria është përballë një kolapsi institucional, ku shteti nuk kontrollon më territorin e tij dhe ku institucionet janë kthyer në emra pa përmbajtje.
Në një vend normal, një ngjarje e tillë do të sillte tronditje të menjëhershme politike, përgjegjësi të qarta dhe largime nga detyra. Por në Shqipërinë e sotme, ku heshtja dhe pandëshkueshmëria janë kthyer në normë, faji kolektiv i qeverisë mundohet të fshihet pas frazave boshe.
Në emër të mijëra qytetarëve që sot ndihen të braktisur, të pasigurt dhe të terrorizuar, Partia e Lirisë kërkon dorëheqjen e menjëhershme të Ministres së Brendshme, Znj. Albana Koçiu, si akt i parë i përgjegjësisë institucionale për këtë dështim katastrofik të shtetit në garantimin e jetës dhe sigurisë.
Ky atentat makabër nuk ndodhi në boshllëk. Ai është produkt i një qeverisjeje që ka toleruar krimin, e ka ushqyer atë dhe i ka dhënë fuqi për të sfiduar ligjin e për të sunduar mbi frikën. Ndaj përgjegjësia nuk është vetëm morale, por politike dhe penale.
Në këto momente dhimbjeje të thellë, Partia e Lirisë ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe kolegëve të gjyqtarit Kalaja. Ai ra në krye të detyrës, duke mbajtur mbi supe barrën e një sistemi drejtësie që nuk arriti ta mbrojë, që nuk i garantoi sigurinë dhe që u tregua i pafuqishëm për të parandaluar këtë tragjedi.
Ky nuk është më thjesht një krim. Ky është një alarm kombëtar. Një thirrje për të gjithë shqiptarët që të mos qëndrojnë më në heshtje. Sepse sot është një gjyqtar, nesër mund të jetë një qytetar, një mjek, një gazetar, çdo njeri që përballet me një sistem të kalbur dhe një shtet të zhveshur nga autoriteti, ku sundon mafia dhe jo ligji.
Sot më shumë se kurrë është e domosdoshme një zgjim kombëtar, një reagim i përbashkët për të rikthyer shtetin e së drejtës, për të rindërtuar institucionet dhe për t’i dhënë fund kapjes së Shqipërisë nga krimi dhe korrupsioni.
Asgjë nuk është më urgjente se garantimi i sigurisë së jetës dhe mbrojtja e shtetit nga mafia.
