Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka reaguar me tone të forta pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit në Tiranë, duke e cilësuar këtë ngjarje si një nga më të rëndat dhe më tronditëset që ka ndodhur ndonjëherë në historinë e sistemit të drejtësisë shqiptare.

“Vrasja e një gjyqtari brenda një salle gjyqi është akti më i rëndë dhe më tronditës që ka ndodhur ndonjëherë në një institucion të drejtësisë shqiptare. Ky krim barbar nuk është vetëm një sulm ndaj një individi, por një atentat i drejtpërdrejtë ndaj vetë sistemit të drejtësisë si pushtet i pavarur,” u shpreh Xhixho në reagimin e saj.

Deputetja thekson se kjo ngjarje është një tregues i qartë i rënies dramatike të autoritetit të ligjit në vend dhe i dështimit të shtetit për të garantuar sigurinë, madje edhe brenda institucioneve më të larta.

“Ajo nxjerr në pah mungesën e plotë të kontrollit të shtetit ndaj dhunës. Sot, drejtësia është në zi, por bashkë me të edhe shteti ligjor,” vijon deklarata.

Xhixho dënon gjithashtu çdo akt vetëgjyqësie, duke e cilësuar atë si një goditje të rëndë ndaj vlerave të shoqërisë demokratike.

“Çdo akt vetëgjyqësie është një atentat i rëndë jo vetëm ndaj jetës së një individi, por edhe ndaj drejtësisë dhe vlerave të një shoqërie demokratike,” shton ajo, duke kërkuar garanci të plota për sigurinë e gjyqtarëve dhe masa për të dekurajuar çdo formë të dhunës ndaj institucioneve të drejtësisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb