Këshilli i Lartë Gjyqësor doli me deklaratë pas mbledhjes urgjente me 260 gjyqtarë nga i gjithë vendi. Ky takim erdhi 3 ditë pas ngjarjes tronditëse pasditen e 6 tetorit, ku gjyqtari i Apelit të Përgjithshëm, Astrit Kalaja u vra me armë zjarri në sallën e gjyqit, teksa lexonte vendimin.
Albana Boksi, anëtare e Gjykatës së Lartë lexoi deklaratën e gjyqtarëve ku kërkohet që gjyqtari i ndjerë të marrë statusin e “Dëshmorit të Atdheut”. Gjithashtu, salla e mbledhjeve në KLGJ merr emrin e gjyqtarit Astrit Kalaja.
Në deklaratë pohohet më tej se pavarësisht asaj që ndodhi do të vijojnë veprimtarinë në funksion të drejtësisë, duke gjykuar me paanshmëri dhe ndershmëri.
Pjesë nga deklarata
“Kërkojmë siguri dhe prosperitet.
Në kujtim të gjyqtarit të rënë në detyrë, të ndjerit Astrit Kalaja, njohja e statusit “Dëshmor i Atdheut” për të. Salla e mbledhjeve të gjyqtarëve, kjo ku jemi sot pranë godinës së KLGJ sugjerojmë të marrë emrin e gjyqtarit të ndjerë Astrit Kalaja. Ngjarja e 6 tetorit nuk duhet të mbetet kujtesë e dhunshme por moment zgjimi kombëtar për drejtësinë shqiptare. Ne nuk kërkojmë keqardhje, pro veprim, sepse një gjyqtar i pambrojtur është drejtësi e pambrojtur. Dhe një drejtësi e pambrojtur është edhe një qytetar i pashpresë”, thuhet në deklaratën e KLGJ.
“Ne angazhohemi solemnisht që pavarësisht tronditjes të vijojmë të gjykojmë me paanshmëri, ndershmëri dhe kurajo”, tha Boksi.
***
260 gjyqtarë nga i gjithë vendi u mblodhën këtë të enjte në selin e KLGJ, pas ngjarjes tronditëse të tre ditëve më parë në Gjykatën e Apelit të Përgjithshëm, ku u vra në sallën e gjyqit teksa lexonte vendimin, gjyqtari Astrit Kalaja.
