Gazetarja e njohur, Klodiana Lala, ka komentuar ngjarjen tronditëse të ndodhur këtë të hënë në ambientet e Gjykatës së Apelit në Tiranë, ku gjyqtari Astrit Kalaja u vra me armë zjarri brenda sallës së gjyqit. E ftuar në emisionin “Log.” në News24, Lala e cilësoi këtë akt si një tjetër goditje ndaj sigurisë kombëtare, duke e krahasuar me ngjarje të tjera të rënda kriminale që kanë ndodhur brenda institucioneve të sigurisë.

“Ky është rasti i tretë që cenon rëndë sigurinë kombëtare, pas vrasjes së Arben Lleshit në burg dhe grabitjes në Rinas. Vrasja në sallën e gjyqit është një cenim i sigurisë shtetërore,” deklaroi Lala.

Gazetarja theksoi gjithashtu se reforma në drejtësi, që shkriu gjykatat e Apelit në rrethe dhe i përqendroi në Tiranë, ka sjellë ngarkesë të madhe në gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e cila tashmë përballet me çështje të mbartura nga e gjithë Shqipëria.

“Në gjykatën e Apelit përplasen çështje nga gjithë vendi. Vijnë personazhe që janë të njohur, që kanë vite në procese,” u shpreh ajo.

Sipas Lalës, kontrollet në hyrje të gjykatës janë të papërshtatshme dhe jo të standardizuara: “Skaneri herë punon. Punonjësi i sigurisë herë nuk është i trajnuar për kontroll fizik të plotë”, zbuloi ajo.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb