TIRANË

Policia ka zbardhur vrasjen e ish-policit Santiago Malko të ndodhur më 27 gusht dhe ka shpallur në kërkim 8 persona, ndërsa një i nëntë ndodhet pas hekurave prej 15 shtatorit. Policia ka pranuar kërkesën e prokurorisë për t’i klasifikuar në kuadrin e një grupi të strukturuar kriminal të dyshuarit për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim”, “Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Vjedhja”.

Por si i kishin ndarë rolet të akuzuarit ditën e ngjarjes. Gazetarja Klodiana Lala ka zbardhur për “BalkanWeb” një pjesë të dosjes dhe detyrave që kishin 8 të shpallurit në kërkim dhe i arrestuari tashmë Blendi Teta.

Malko Te Arrestuarit
Malko Te Arrestuarit

ROLET

Leonard Duka dhe Erlis Duka vëllezër me njëri-tjetrin janë pronarë të një lokali në zonën e Freskut ku dyshohet se është thurur plani për vrasjen e Malkos.

Këta persona dyshohet se ndoqën dhe ekzekutuan më 27 gusht në rrugën ‘Xhanfize Keko’, shtetasin Santiago Malko, ish-oficer policie dhe më pas një personazh i njohur në botën e krimit për sa kohë rezultonte i përfshirë në disa ngjarje kriminale, mes të tjerave edhe atë të ndodhur 4 tetorin e vitit të kaluar në zonën e ish-Bllokut ku mbeti i plagosur Ervis Martinaj edhe ky një personazh i njohur i botës së krimit.

Duhet të theksoj se në dosjen që disponon Neës24, specifikohen të gjitha lëvizjet e autorëve. Ata kanë lëvizur me dy makina, konkretisht në automjetin tip ‘Scoda Roomster’ kanë qenë të ulur këta persona Ilir Selmani, i cili drejtonte këtë automjet, në vendin e parë Blendi Tetaj, i cili është tashmë i arrestuar me akuzën për moskallëzim krimi, Leonard Duka dhe Ervis Metani, ky i fundit i larguar pak minuta para se të ndodhte ngjarja. Këta persona kanë bërë disa lëvizje. Ndërkohë që në automjetin tip ‘Volkswagen’, golf janë ndodhur personat Aleksandër Maxhaku, Oltian Loga, Dritan Aga dhe Fatmir Hyseni. Ata fillimisht kanë lëvizur nga zona e Freskut, pasi kanë darkuar në fakt, në drejtim të banesës së Santiago Malkos pas shumë ecejakesh në atë zonë dhe disa rrugica.

Në dosjen hetimore thuhet se Leonard Duka i ka kërkuar Ilir Selmanit që të kthente automjetin sepse më në fund kishte arritur ta identifikonin dhe lokalizonin objektivin e tyre. Ata janë kthyer dhe janë ndaluar pikërisht në rrugën ‘Xhanfize Keko’ ku u qëllua pak minuta më vonë edhe Santiago Malko. Duhet theksuar se të gjithë këtë dëshmi e ka dhënë shtetasi i arrestuar Blendi Teta, i cili nuk është gjendur në momentin e ngjarjes që ishte larguar pak minuta para ngjarjes dhe ka qenë i fshehur në shtëpinë e bashkëjetueses së tij. Ndërkohë që shtetasi Ervis Metani rezulton i përfshirë vetëm për faktin se automjet ‘Golf 5’ është në pronësi të këtij shtetasi.

Mbetet për t’u parë nëse ai është realisht i përfshirë apo prokuroria mund të ndryshojë qëndrim lidhur me të. Sa i përket motivit Santiago Malko ka pasur një debat dhe një konflikt të hershëm me Leonard Dukën, i ka kërcënuar me armë babain dhe dy kushërinj. Megjithatë nuk është ky motivi përfundimtar. Prokuroria është duke hetuar në disa pista, si konflikte për shkak të trafikut të drogës apo ngjarje të tjera kriminale.

Gjithashtu prokuroria e Tiranës më herët ka hetuar dhe ka rrëmuar rreth një ngjarje të rëndë të ndodhur së fundmi në qytetin e Durrësit. Megjithatë janë edhe mjaft pista të tjera të hapura që janë duke u verifikuar për të arritur edhe në një konkluzion final lidhur me arsyet se përse këta persona vendosën të ekzekutonin Santiago Malkon.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb