EKUADOR – Prokurorët që hetojnë vrasjen e kandidatit presidencial të Ekuadorit Fernando Villavicencio thonë se ekzekutimi i tij ishte planifikuar nga burgu. Ata kanë kërkuar që gjashtë të dyshuar – pesë ekuadorianë dhe një kolumbian – të akuzohen në lidhje me vrasjen.

Villavicencio, 59 vjeç, u qëllua për vdekje teksa po largohej nga një tubim i fushatës në kryeqytet, Quito, disa ditë përpara zgjedhjeve presidenciale në gusht 2023. Ai kishte denoncuar ndikimin e bandave në vend dhe kishte premtuar se do t’i luftonte ato. Në javët para zgjedhjeve, politikani kishte marrë kërcënime me vdekje dhe i ishte dhënë një detaj sigurie. Por ai vazhdoi të bënte fushatë dhe u qëllua nga një grup agresorësh më 9 gusht, jashtë një shkolle në veri të Kuitos.

Në një seancë gjyqësore të martën, prokurorja Ana Hidalgo përshkroi se si ishte zhvilluar hetimi. Ajo tha se personi i armatosur, që besohet të ketë qëlluar, u vra vetë në një shkëmbim zjarri me policinë pas vrasjes së Villavicencios.

Me ndihmën e pamjeve të kamerave të sigurisë, policia arriti të identifikojë një nga agresorët e tjerë dhe e gjurmoi atë në një shtëpi në lindje të qytetit. Atje, ata arrestuan gjashtë të dyshuar kolumbianë dhe sekuestruan armë, municione dhe granata. Javë më vonë, të gjashtë u gjetën të vdekur në burgun El Litoral, ku mbaheshin në paraburgim.

Ekspertët e mjekësisë ligjore thanë se të dyshuarit ishin mbytur. Gazeta spanjolle El País citoi një burim të thoshte se ata ishin varur. Një i dyshuar i shtatë u vra të nesërmen në një burg tjetër. Prokurorët thonë se shtatë burrat e vrarë në burg ishin agresorët që sulmuan Villavicencion, por dyshojnë se ata ishin vrasës me pagesë dhe se urdhri për të vrarë politikanin erdhi nga brenda një burgu ekuadorian.

Prokurorët shtuan se kishin gjurmuar mesazhet e dërguara njërit prej personave të armatosur tek një i burgosur në burgun Latacunga. Si i burgosuri, ashtu edhe një grua që prokurorët e akuzojnë për mbështetje logjistike për agresorët, mendohet se i përkasin bandës kriminale Los Lobos. Prokurorët thanë se katër të dyshuarit e mbetur ishin bashkëpunëtorët e tyre – një gjykatë do të vendosë më vonë të mërkurën nëse do t’i akuzojë ata.

Los Lobos (Ujqërit) vlerësohet të kenë 8000 anëtarë dhe është një nga organizatat kriminale më të fuqishme në Ekuador. Shumë nga anëtarët e saj janë në burg dhe banda mendohet se ka nxitur disa nga trazirat më të përgjakshme të burgjeve të Ekuadorit. Banda mendohet të ketë lidhje me kartelin e fuqishëm Jalisco New Generation në Meksikë.

Vitet e fundit ka pasur një shpërthim në dhunën e bandave në Ekuador, gjë që ka bërë që presidenti Daniel Noboa të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: