Nga Qemal Lame
Pjesë nga libri “Miq dhe armiq”
Mendimet e pjesëtarëve të familjes së Enver Hoxhës
Nexhmije Hoxha ka mbajtur qëndrimin e saj të njohur të pandryshuar për vetëvrasjen e Mehmet Shehut, sipas njoftimit zyrtar, dhe mbron versionin e vetëvrasjes duke iu referuar akuzave të bëra në “Tablonë Sinoptike”. Këtë qëndrim të pandryshuar e ka publikuar edhe në librin e fundit të botuar para vdekjes.
Liljana Hoxha, bashkëshortja e Sokolit, bën të ditur një variant krejt të ndryshëm dhe argumenton mendimin e saj se “vrasja e Mehmet Shehut është bërë nga Nexhmija dhe Ramiz Alia”. Vrasja është bërë në momentin kritik kur ishte përgatitur mësymja ushtarake e ushtrisë shqiptare në mbrojtje të Kosovës me në krye strategun Mehmet Shehu!? Liljana Hoxha publikon mendimet e saj dhe tregon prapaskenat që bëheshin në majën e kupolës së shtetit komunist pa dijeninë e Enver Hoxhës, por nën regjinë e Nexhmije Hoxhës dhe Ramiz Alisë.
Në lidhje me vdekjen e kryeministrit Mehmet Shehu ajo deklaron se atë e vranë interesat e UDB-së, pasi ishte planifikuar ndërhyrje ushtarake e Shqipërisë në mbrojtje të Kosovës. “E vranë në momentin kritik, kur me urdhër të Enver Hoxhës ishte përgatitur mësymja ushtarake në mbrojtje të Kosovës me strateg Mehmet Shehun.” Liljana tregon edhe se çfarë i ka thënë Enver Hoxha pas kësaj ngjarjeje. Ajo thekson me bindje se për Enver Hoxhën vdekja e Mehmet Shehut ishte një gjëmë e madhe.
Shpjegimet e Liljana Hoxhës janë në mbrojtje të Enver Hoxhës dhe me akuza të rënda kriminale kundër Nexhmije Hoxhës dhe Ramiz Alisë. Ky është një qëndrim i njohur nga mendimet që ajo ka publikuar në medie. Enveri pretendohet se ka qenë një “engjëll” dhe Nexhmija mbetet “shtriga” që bashkëpunonte me djallin e bindur ndaj saj, “Uria Hipin”, Ramizin. Nexhmija bashkëpunonte me Ramizin që pushteti të trashëgohej tek ata të dy.

Analiza e shpjegimeve të Liljana Hoxhës na ndihmon të kuptojmë marrëdhëniet e mira me Enverin dhe mbrojtjen që ajo i bën për të gjitha çështjet që ai akuzohet. Mendimet e saj subjektive për vrasjen e Mehmet Shehut dhe shqetësimet e Enver Hoxhës nuk kanë besueshmërinë e nevojshme ligjore që të vlerësohen si bazë për të hedhur dritë mbi të vërtetën, pasi nuk mbështeten nga ngjarjet, faktet, provat e njohura deri tani. Ideja e planit të Enverit për Kosovën është bërë e njohur nga ish-ministri i Mbrojtjes Kiço Mustaqi, kur iu kërkua nga ministri Alfred Moisiu që t‘i dorëzonte çelësat e kasafortës ku u gjet harta me planin operativ strategjik të përgatitur nga Shtabi i Përgjithshëm.
Këtë fakt e ka mbështetur edhe djali madh i Enverit, Iliri. Plane operative mund të përgatiten nga Shtabi i Përgjithshëm, për të qenë kurdoherë të gatshëm për të vepruar. Por nuk kanë qenë kushtet që Shqipëria të vepronte realisht e aktivisht me ndërhyrje ushtarake kundër Jugosllavisë me propagandën për mbrojtjen e Kosovës. Enveri asnjëherë nuk ka deklaruar dhe as ka ndërmarrë ndonjë masë për të vepruar për të ndërhyrë ushtarakisht në mbrojtje të shqiptarëve në shtetet e tjera fqinje.
Çdo ndërhyrje ndaj Jugosllavisë do të ishte një agresion ushtarak, do të dënohej nga bashkësia ndërkombëtare dhe do të kishte pasoja të rënda politike, ushtarake dhe ekonomike për Shqipërinë. Ai është kujdesur për të ruajtur marrëdhëniet miqësore, stabilitetin politik dhe sigurinë në rajon. Vlerësimi objektiv i veprimtarisë së Enver Hoxhës dhe qëndrimeve në politikën e jashtme, sidomos me fqinjët, Jugosllavinë e Greqinë, as që mund të mendohet se Enver Hoxha kishte përgatitur ushtrinë për të sulmuar Jugosllavinë dhe mbrojtur Kosovën me strateg Mehmet Shehun.
Në rast se do të ishte ai plan për t‘u zbatuar, së pari do të ishin bërë përgatitje konkrete ushtarake dhe së dyti Enveri do të mbante qëndrim në mbrojtje të Mehmetit, do të jepej zgjidhja përfundimtare në Byronë Politike, do të jepeshin orientime të qarta për organet e partisë pa u krijuar shqetësime të mëtejshme te Mehmeti e familja e tij, si dhe nuk do të kishte ndodhur tragjedia e zhdukjes së kryeministrit dhe shkatërrimi barbar i familjes së tij.
Sokol Hoxha, djali i dytë i Enver Hoxhës, bën të njohur për opinionin publik disa hollësi të marrëdhënieve familjare që ndihmojnë të kuptohet edhe më mirë qëndrimi i Liljanës. Ai tregon se ende nuk e di pse ishte i preferuari i të atit. “Nuk di ta them me saktësi. Ndoshta për zgjedhjet e drejta që kisha bërë në jetë, gjë që ma ka thënë disa herë. Më vjen keq që nuk i jam hapur, madje kur ai më është hapur, unë i jam mbyllur”.
Ai tregon se Enveri e kishte pikë të dobët nusen e tij, Liljanën. «Vërtet e ka pasur pikë të dobët. Këtë e them jo se është gruaja ime, por ai ma ka theksuar disa herë. Ndoshta se Liljana ishte vajzë populli me cilësitë e veta që ai ia vlerësonte aq shumë, si ndjeshmëria, idealizmi dhe mospajtimi me padrejtësitë”, thotë ai dhe shton se kjo gjë kishte krijuar shqetësim te familja. Sokoli tregon amanetin që i la Enveri 9 ditë para se të vdiste.
“Tetë apo 9 ditë para se të vdiste, amaneti i tij ishte të ruheshim dhe sidomos të ruaja Liljanën. Ma ka thënë troç: “Ruajuni dhe sidomos ruaj Liljanën”, thotë ai. Sokoli shpjegon edhe mendimet e Enverit që dalin nga pyetja se “Ç’do të thoshte me ruajunin”? Siç kishte kuptuar qëllimin kundër atij vetë muajt e fundit të jetës, kishte kuptuar sidomos qëllimin kundër nesh. Me këtë donte të na bënte vigjilentë, doemos pa u futur ai vetë në detaje, kur ishte evidente se pjesa tjetër e familjes, filluar nga mamaja, ishte totalisht e lidhur me Ramiz Alinë.
Sokol Hoxha deklaron mendimin e tij se “ngjarja me Mehmet Shehun duket vetëvrasje, por nën presion të fortë psikologjik, pra e domosdoshme që ai të vdiste”. Sokol Hoxha ndalet gjatë në vdekjen e Mehmet Shehut, duke zbuluar detaje dhe prapaskena rreth asaj ngjarjeje e duke theksuar gjatë intervistës në “Panorama” se Mehmetit iu bë presion i madh që të vdiste. Për cilësimin konkret të vdekjes, nëse është vrarë apo vetëvrarë, Sokoli dëshmon mendimin se ngjarja “duket vetëvrasje, por nën presion të fortë psikologjik, pra e domosdoshme që ai të vdiste”.
Me argumentet e publikuara Sokoli mbron mendimin se Mehmeti është vetëvrarë në kushtet e presionit të fortë psikologjik, kur e ka kuptuar se nuk kishte zgjidhje tjetër për jetën e tij. Më tej ai argumenton mendimin e tij duke vënë në dukje rrethanat më kryesore në të cilat janë zhvilluar ngjarjet e atij viti, se: “Ishte viti ’81, kur ndodhi tragjedia që kishte lidhje të ngushtë edhe me Kosovën për vetëpavarësi të saj. Kjo tragjedi e mërziti shumë babanë. Për një vit të tërë ai nuk ka buzëqeshur dhe deri në fund ka pasur dyshimin që pse Mehmet Shehu duhet t’ia bënte popullit dhe babait tim këtë tragjedi kaq të madhe. Sepse babai im ishte i sigurt që Mehmeti e dinte që Enveri do ta falte, si gjithmonë, edhe për gabime shumë më të rënda, kur Mehmeti ka tejkaluar normat nga gjaknxehtësia. Për shembull, për terrorin në popull pas vrasjes së Bardhok Bibës. Ndaj çështja e fejesës, e parë sot retrospektivisht, e sinqertë apo kurth ndaj Mehmet Shehut, apo “dualizmi”, për të cilat e kritikoi më ashpër nga të gjithë Ramiz Alia, nuk e justifikonin vetëvrasjen e Mehmetit.”
Sokoli argumenton se mes Enverit dhe Mehmetit nuk kishte përplasje. “Atë nuk do ta bënte kurrë Mehmeti. Për këtë ka qenë i sigurt edhe në ditët e fundit të jetës, ndonëse iu desh të sqarojë popullin me “Tablonë sinoptike” sipas informacioneve që i sollën menjëherë pas vetëvrasjes.” Sokoli nxjerr emrat, teksa thotë se Kadri Hazbiu dhe Ramiz Alia kishin interes që Mehmet Shehu ta lejonte fejesën e djalit të vet te Turdijtë: “Atyre u interesonte për ta eliminuar Mehmet Shehun, sepse në krye të qeverisë do vinte Kadri Hazbiu, ndërsa pas vdekjes së Enver Hoxhës në linjën e partisë mbetej Ramizi.”
Sokoli bën të njohur publikisht edhe bisedën që ka bërë me të atin lidhur me këtë fakt: “Babai im nuk mund ta kalonte thjesht rastin e Kadri Hazbiut si ministër i Brendshëm pas vdekjes së Mehmet Shehut. Pasur parasysh edhe që më i egri përveç Ramiz Alisë në kritikat që iu bënë Mehmet Shehut për fejesën ishte vetë ai. Babai më ka thënë që unë e provokova që ai të nxirrte njeriun përgjegjës, fjala është për Ramiz Alinë”, thekson e sqaron Sokoli.
