Në emisionin “Me Zemër të Hapur”, u soll në vëmendje ngjarja e rëndë, ku Migena Kodra u vra tragjikisht nga kunati i saj, teksa flinte në të njëjtin shtrat me vajzën e vogël, vetëm 2 vjeç.
Një ngjarje që tronditi thellë opinionin publik dhe la pas një dhimbje të madhe për familjen.
Pas krimit, autori i dyshuar i dha fund jetës në oborrin e banesës. Para aktit ekstrem, ai ishte parë edhe nga prindërit e tij. Nëna e tij u zgjua nga të shtënat dhe rrëfeu se kishte shkuar menjëherë drejt dhomës pasi dëgjoi të qarat e mbesës, por në të njëjtën kohë dëgjoi edhe krismën e dytë, momentin kur i biri vrau veten.
Një skenë e rëndë dhe tronditëse, që për atë familje në Tiranë mbetet një kujtim i pashlyeshëm. Megjithatë, edhe sot, e gjithë ngjarja mbetet e mbuluar me mister. Arma e krimit u gjet larg trupit të autorit, duke ngritur pikëpyetje të forta mbi atë që ndodhi realisht atë natë.
Nga ana tjetër, bashkëshorti i Migenës ka deklaruar se për rreth një vit para ngjarjes nuk ndodhej në shtëpi gjatë natës, për shkak të punës si taksist në turnin e tretë. Ai gjithashtu ka mohuar ekzistencën e ndonjë konflikti të mëparshëm që mund të çonte në një përfundim kaq tragjik.
Familjarët e Migenës, të përballur me humbjen e vajzës së tyre nënë e dy fëmijëve të mitur, tregojnë se për ngjarjen u njoftuan fillimisht përmes medias, duke e bërë dhimbjen edhe më të rëndë.
Por drama nuk përfundon këtu. Edhe pas dy vitesh, beteja vazhdon. Dy fëmijët e Migenës janë bërë pjesë e një konflikti të ashpër ligjor mes familjes së nënës dhe babait të tyre.
Arieli, vëllai i Migena Kodrës, ka rrëfyer gjatë intervistës në emisionin “Me Zemër të Hapur”, se nuk kërkon që të ndajë fëmijët nga babai i tyre, por do vetëm që t’i shkollojë vajza. Gjithashtu ai rrëfeu edhe një tjetër moment, ku pas takimit me babain e tyre, vajza e vogël i ka thënë ‘o daj mos më çoni te shtëpia e babai’, duke treguar sipas tij edhe pasigurinë që ndjejnë edhe vetë fëmijët.
“Fëmijët janë mirë, djalë është 7 vjeç dhe vajza tani në gusht bën 5 vjeç. Nga shkalla e parë që unë morë kujdestarinë, vetëm ka dashur që t’i shkolloj fëmijët, nëse do t’i takojë le të vijë t’i takojë. Erion Sinani i ka takuar më datë 26 , dhe më parë ai nuk i takonte. Nga ana e tij në takimet e para që ka bërë me fëmijët, ka qenë shumë i ftohtë. Po ashtu bënte edhe disa pyetje që nuk janë të hijshme për ata ffmijë. I pyeste, çfarë flasin ata për mua? Kur ka mbaruar takimin me fëmijët, vajza kishte frikë dhe na thoshte o daj, o gjysh mos më çoni te shtëpia e babait…Kjo do të thotë shumë për ne”, ka treguar ai.
Nga njëra anë, gjyshi i fëmijëve, Kasemi, prej më shumë se një viti po ndjek rrugët ligjore për t’i marrë nipërit pranë tij, duke kërkuar që ata të mos rikthehen në të njëjtën banesë ku humbën nënën.
Por gjykata në seancën e fundit ka vendosur që fëmijët të qëndrojnë me babanë. Një histori e mbushur me dhimbje, mister dhe një betejë të fortë për të ardhmen e dy jetëve të pafajshme, që vazhdon ende.
