Miqtë e 24-vjeçares palestinezes Rayan Alwan pretendojnë se plani për vrasjen e 24-vjeçares u bë nga nëna dhe babai i saj Fadi Alwan, autor i krimit.

Prej më shumë se një muaji ata ishin në kërkim të 24-vjeçares me të cilën kishin humbur kontaktet, por ka qenë një lajm i publikuar nga BalkanWeb ai që i ka ndihmuar të zbulojnë fatin tragjik të mikeshës së tyre.

Ata kanë kontaktuar me redaksinë tonë duke sqaruar gjithçka që ka ndodhur.

Sipas tyre ka qenë nëna e Rayan Alwan ajo që e ka bindur të bijën të udhëtonte për në Liban, duke kaluar tranzit nga Shqipëria.

“Ajo jetonte në një nga shtëpitë që i përkiste qeverisë gjermane në Berlin në Warschauer Platz 6, 10245. Nuk kishte një leje qëndrimi gjermane, por kishte një leje qëndrimi greke. Ajo ishte në konflikt me prindërit e saj dhe donte të shkonte në Liban vetëm për të parë fëmijët e saj. Ajo po planifikonte të udhëtonte në Liban në fund të këtij muaji, por papritur, nëna e saj e bindi të udhëtonte me të atin në Shqipëri dhe prej andej në Liban. Kjo për shkak se ajo nuk mund të udhëtonte drejtpërdrejt nga Gjermania me pasaportën e saj greke, pasi nuk kishte një leje qëndrimi të vlefshme greke, gjë që mund t’i kishte sjellë edhe konfiskimin e pasaportës”, thanë ata.

Ngjarja:

Rayyan dhe Fadi Alwan mbërritën ne Rinas me datë 19 shkurt dhe u vendosën në një banesë me qira në rrugën Gjon Muzaka në kryeqytet.

Sipas hetuesve Fadi Alwan pasi vrau 24-vjecaren me disa goditje thike me datë 22 shkurt, u largua nga Shqipëria në drejtim të Greqisë e prej andej në Amsterdam.

Ai dyshohet se është larguar drejt Libanit dhe deri më tani nuk është arrestuar.

Trupi i pajetë i 24-vjecares u gjet nga pronarja e banesës, 5 ditë pasi autori i dyshuar ishte larguar nga vendi.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb