Hetimet për vrasjen e dyfishtë në Finikounda vazhdojnë me ritëm të intensifikuar, ndërsa zbulohen elementë të rinj rreth motivit, roleve të të dyshuarve dhe çështjes së trashëgimisë. Pas arrestimit të nipit të viktimës 68-vjeçare dhe mikut të tij biznesmen nga Athina, autoritetet presin edhe ndalimin e një personi të tretë që ndodhet në Gjermani, i cili dyshohet se ka transportuar 22-vjeçarin që tani konsiderohet autori i vërtetë i vrasjes. Ky person është identifikuar nga policia dhe pritet të arrestohet sapo të ekzekutohet urdhër-arresti ndërkombëtar.

Ndërkohë, çështja e trashëgimisë së viktimës po hap një kapitull të ri në hetim. Sipas ligjit, pasuria e tij e madhe, e vlerësuar në disa miliona euro dhe që përfshin prona të paluajtshme dhe toka të shumta, do t’i kalojë motrës së 68-vjeçarit, pavarësisht se nipi pretendon se ishte pranë xhaxhait deri në fund. Edhe nëse ai shpallet fajtor për nxitjen e krimit, kjo nuk ndikon në linjën ligjore të trashëgimisë.

Nipi 33-vjeçar, i cili fillimisht u vetëprezantua si dëshmitar okular, u arrestua pasi provat e mbledhura nga telefonat celularë, kompjuterët dhe komunikimet e tij rezultuan të kundërta me deklarimet e tij të para. Hetuesja, përkundër kundërshtimeve të autorëve të dyshuar që akuzonin njëri-tjetrin, grumbulloi prova që e vendosin nipin në rolin e nxitësit të sulmit, ndërsa ai dyshohet edhe për përfshirje në një atentat të mëparshëm ndaj të njëjtit xhaxha në shtator.

Sipas policisë, telefonata e parë që ai bëri menjëherë pas vrasjes – jo tek autoritetet, por tek biznesmeni që sot është bashkë i arrestuar – u konsiderua një element kyç që ngriti dyshimet ndaj tij. Në deklarata të mëvonshme, 33-vjeçari ka përmendur presionet mediatike, thashethemet për “30 milionë eurot”, grabitjen e dyfishtë të shtëpisë së tij dhe marrëdhënien e ndërlikuar me xhaxhain, të cilin ai e përshkruan si një figurë që e kishte zëvendësuar babanë e tij.

Ndërsa dy të rinjtë e dyshuar si autorë natyrorë të vrasjes qëndrojnë në paraburgim dhe bashkëpunëtori i tretë pritet të arrestohet nga autoritetet gjermane, hetimet për këtë krim që ka tronditur opinionin publik janë ende larg përfundimit. Organet hetimore theksojnë se priten zhvillime të tjera, ndërsa rasti i Finikoundës mbetet plot enigma dhe kontradikta që kërkojnë zbardhje të plotë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb