KORFUZ
Vrasja e shqiptares Angelina Petro nga i ati në Korfuz është trajtuar gjerësisht në emisionin “Mazi sou” (Me ty) të gazetares së njohur greke, Tatiana Stefanidhu në Skai TV. Gazetarë, analistë dhe specialistë të krimeve zbardhën ngjarjen e rëndë, duke sjellë detaje të reja dhe domethënëse rreth saj. Në lidhje direkte nga fshati ku jetonte Angelina, gazetarja tregoi se më 1 janar, i dashuri afgan i vajzës dhe 2 prindërit e tij grekë të cilët e birësuan që të vogël kur lufta e la pa prindër, së bashku me djalin e shoqëruan viktimën në shtëpinë e të atit dhe e lanë që ta merrnin sërish disa orë më vonë, duke e ditur se marrëdhënia mes të dyve nuk ishte e mirë.
Pak orë më vonë, gjatë një telefonate, i dashuri dëgjoi sherrin që Angelina po bënte me të atin dhe më pas nuk u lidh dot më, pasi telefoni ishte i mbyllur. Në mëngjes fqinja e viktimës, që jeton në shtëpinë pranë, gjeti celularin e vajzës dhe së bashku me të dashurin lajmëruan policinë. Gazetarja tregon se gjatë sherrit vajza ishte hedhur nga dritarja në 2 metra lartësi për t’i shpëtuar të atit. Por babai vrasës e ndoqi me vrap me shufrën e hekurit në dorë, e kapi në kopësht, ku i dha goditjet fatale dhe në të njëjtin vend e varrosi. Kamerat e televizionit tregonin qenin e Angelinës që shkonte vazhdimisht në vendin ku atë natë të errët u gropos vajza, dhe kthehej sërish në shtëpi. Madje dy ditë më parë ishte ai që drejtoi policët pikërisht aty ku u zbulua krimi makabër. Fqinja greke që ishte bërë edhe kumbara e Angjelinës, një grua që e mori nën mbrojtje 28 vjeçaren shqiptare, e përshkroi atë si “një vajzë ëngjëllore”.
Në emision u transmetua edhe kronika e News24 me dëshminë dhe apelin e nënës së Angelinës. Gazetari Mario Aravandinos falenderoi televizionin tonë për këtë bashkëpunim.
“Do të ndjekim tani një reportazh të realizuar nga televizioni News24, një televizion i madh informativ në Shqipëri, i cili arriti të marrë dëshminë e nënës së Angelinës. Falenderojmë kolegët e mirë shqiptarë që na ndihmuan me këtë reportazh, për të plotësuar më së miri tablonë e kësaj ngjarjeje të rëndë”, u shpreh Aravandinos.
Pasi ndoqi dëshminë drejtuesja e emisionit Tatiana Stefanidhu tërhoqi vëmendjen edhe për një fakt tjetër, varfërinë në të cilën jeton nëna e mjerë: Shikoni sa e varfër është nëna, shikoni këtë grua që nuk e ka parë fëmijën e saj kaq vite. E kërkon trupin e vajzës ta qajë në shtëpinë e saj të varfër”. Në këtë kontekst gazetarja bëri thirrje që qytetarët ta ndihmojnë atë.
Pas një diskutimi të gjatë për rrethanat dhe shkaqet që shtynë një 57 vjeçar t’i marrë jetën vajzës së tij, duke theksuar se krimi nuk ka etni, drejtuesja e emisionit e mbylli me fjalët: “Erdhi në Korfuzin e bukur për një jetë më të mirë, tek një baba i panjohur deri atëherë, të idealizuar në mendjen e saj, i cili e trajtoi barbarisht, siç thanë dëshmitarë e miq të vajzës. Erdhi për një jetë më të mirë me babanë që ëndërronte dhe që përfundimisht e vrau”.
Krimi nuk ka etni kanë theksuar dhe gazetarët e tjerë, madje Hrisla Gjeorgakopulu ka kundërshtuar avokatin mbrojtës të vrasësit gjatë bisedës live, kur ky i fundit ka dashur të justifikojë aktin me mentalitetin e shoqërisë së dhunshme shqiptare. “Jo, nuk e pranoj, doni të thoni që shqiptarët nuk i duan fëmijët e tyre? Jo, nuk qëndron ky justifikim”, ka reaguar ashpër gazetarja, duke e ndërprerë avokatin, i cili në vijim i detyruar ka ndryshuar tonin e bisedës.
(ed.me/BalkanWeb)
