Pas vrasjes së turistit portugez Luis Miguel Varela Mendez në Ksamil, policia është duke ushtruar kontrolle Vorë, Tiranë dhe Kukës, me qëllim arrestimin e Bekim Bulicës, pronarit të lokal Principotes dhe Daniel Gjanës alias Heurteven.

Gjana banon në Vorë dhe për shkak të lidhjeve që ka në zonë, besohet se mund të fshihet atje. Ai dyshohet për vrasje me dashje të kryer në bashkëpunim, pasi e ka goditur me grushte 20-vjecarin portugez, përpara se Sokrat Lipan alias Vata ta godiste me thikë për vdekje.

Ndërsa Bulica ka lidhje të forta në Kukës, prej nga edhe ka origjinën dhe për këtë arsye, janë kontrolluar disa banesa dhe ambiente, por pa rezultat.

Policia është duke bashkëpunuar dhe me autoritetet e Kosovës, pasi nuk përjashton mundësinë që ata të dy të jenë larguar së bashku në drejtim të Kosovës.

Turisti portugez u vra mëngjesin e tri ditëve më parë, në plazhin Paradise, pasi më heët ai dhe miqtë e tij ishin konfliktuar me Daniel Gjanën në lokal Principotes, ku edhe kishin festuar. Pasi Gjana e kishte goditur, Vata e ka marrë zvarrë dhe goditur për vdekje në Shezlong.

Vata u largua pas ngjarjes, por u arrestua në bagazhin e një makine teksa tentonte arratisjen, me ndihmën e dy shtetasve turq që tashmë janë në pranga.

Në total për krimin e rëndë, janë arrestuar 10 persona, mes tyre Miosid Matushaj, punonjës policie; Luciano Seferi, polic në burgun e Fierit dhe Romeo Shehu, polic bashkiak në Gjirokastër. Të dyshuarit pritet të dalin para gjykatës së Sarandës për masën e sigurisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb