Prokuroria e Posaçme ka dhënë pretencën për një nga dosjet e bujshme të krimit të organizuar në Shqipëri, atë të vrasjeve të Vajdin Lamajt dhe Klodian Saliut, të kryera në vitin 2005. SPAK ka kërkuar dënimin me nga 25 vite burg për secilin prej gjashtë të pandehurve, të cilët akuzohen për përfshirje në këto ngjarje.
Sipas pretencës së paraqitur nga Prokuroria, nga 25 vite burg janë kërkuar për Lulzim Berishën, Emiljano Shullazin, Viktor Imerajn, i njohur edhe si Viktor Bajraktari, Indrit Taullain, Indrit Rusin dhe Plaurent Dervishin. Ndërkohë për Luftar Reçin u kërkua 8 vjet heqje lirie për shkak të bashkëpunimit me autoritetet.
PRETENCA E SPAK
• Lulzim Berisha – 25 vite burg
• Emiljano Shullazi – 25 vite burg
• Viktor Imeraj (Bajraktari) – 25 vite burg
• Indrit Taullai – 25 vite burg
• Indrit Rusi – 25 vite burg
• Plaurent Dervishaj – 25 vite burg
• Luftar Reçi – 8 vite burg
Vrasjet e Lamajt dhe Saliut ndodhën në vitin 2005. Çështja ka qenë për vite me radhë në fokus të hetimeve për zbardhjen e autorëve dhe të rrethanave që çuan në ekzekutimin e tyre.
Ngjarja e parë ndodhi më 26 shkurt 2005, rreth orës 22:00, në segmentin rrugor Durrës-Maminas, pranë fshatit Koxhaj. Klodian Saliu po udhëtonte me automjetin e tij tip “Mercedes-Benz”, kur ndaj tij u qëllua me armë zjarri. Ai mbeti i vrarë, ndërsa personi tjetër që ndodhej në makinë, O. Truma, u plagos.
Vetëm një ditë më vonë, më 27 shkurt 2005, një tjetër ngjarje e rëndë tronditi Tiranën. Një shpërthim me lëndë plasëse në pallatin ku banonte biznesmeni Vajdin Lamaj, në rrugën “Dervish Hima”, i mori jetën atij dhe mikut të tij, Artan Arsit.
Për vite me radhë, autorët e këtyre ngjarjeve mbetën të pazbuluar dhe hetimet u pezulluan. Dosja u rihap nga SPAK në vitin 2020, kur dy procedimet u bashkuan në një hetim të vetëm. Një rol të rëndësishëm në zbardhjen e dinamikës së ngjarjeve pati Luftar Reçi, i cili pranoi të bashkëpunonte me drejtësinë dhe dha dëshmi për përfshirjen e personave të dyshuar dhe mënyrën se si, sipas tij, ishin organizuar vrasjet.
Në dhjetor të vitit 2020, SPAK bëri publike rezultatet e hetimeve dhe njoftoi dyshimet për përfshirjen e disa personave të lidhur me grupet kriminale të asaj periudhe. Në vijim, dosja kaloi për gjykim në Gjykatën e Posaçme në vitin 2022.
