Drejtori i Policisë së Lezhës, Ermal Muçaj, ka dhënë detaje të reja në lidhje me vrasjen e Viktor Bardhit në Mirditë.
Muçaj bëri me dije se në kuadër të hetimeve është shoqëruar një person, ndërsa grupi hetimor ka identifikuar edhe një pistë mbi të cilën po vijon puna për zbardhjen e ngjarjes.
“Për momentin kemi një të shoqëruar dhe një pistë hetimi”, u shpreh Muçaj, duke theksuar se për shkak të dinamikës së hetimit nuk mund të bëhen publike detaje të tjera.
Drejtori i Policisë së Lezhës tha se emri i personit të shoqëruar dhe pista konkrete që po ndiqet nga hetuesit nuk mund të bëhen me dije në këtë fazë.
“Rreth orës 8:55 sot jemi njoftuar në sallën operative për një ngjarje të rëndë të ndodhur në Ndërfushas, Mirditë. Kemi ngritur grupin hetimor, kemi ardhur në vendngjarje dhe nga veprimet e para hetimore ka rezultuar që një shtetas që është vrarë në automjetin e tij është shtetasi Viktor Marku, ditëlindja 1961.
Ndërkohë që jeni dhe vetë prezent po bëhen të gjitha veprimet hetimore. Rreth 20 minuta pas ngjarjes, në fshatin Rrethi i Ri që është afër Rubikut, diku këtu afër, është djegur një automjet. Është ngritur dhe grupi hetimor i dytë dhe po sqaron rrethanat e rastit. Po kryhen të gjitha veprimet hetimore, po fiksohen të gjitha provat, po pyeten dëshmitarët edhe do të jemi për një njoftim të dytë sapo të kemi diçka të re në lidhje me këtë ngjarje. Kemi të shoqëruar dhe pistat tona i kemi, por nuk mund t’i ndajmë në këtë moment me mediat. Jo, nuk janë gjetur armë në makinë.”, tha drejtori i policisë.
