TIRANE– Avokati i njërit prej të plagosurve nga ngjarja në zonën e ish Bllokut mbrëmjen e enjte ka thënë se nuk ka prova për vendosjen e masës ‘arrest me burg’ ndaj klientit të tij.

Në një prononcim për News24 dhe BalkanWeb, avokati i të plagosurit Eljon Hato ka thënë se nuk provohet akuza e ngritur nga Prokuroria për masën ‘arrest me burg’.

Ishim në seancë gjyqësore te spitali ushtarak në Tiranë. Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së sigurimit me burg për Haton. Unë kërkova në seancë që gjykata të vlerësojë si të paligjshëm arrestimin në flagrancë, pasi nuk janë kushtet dhe rrethanat për të caktuar këtë masë sigurimi. Nuk ka asnjë dyshim të arsyeshëm të mbështetur në prova. Ai akuzohet për një vepër penale të rëndë. Asnjëra nga pretendimet e prokurorisë për ne si mbrojtje nuk janë të bazuara në ligj. Vendimi do të jepet më vonë. Gjendja është e rëndë, ndodhet në reanimacion. S’ka as shenjë gishtash, as gjurmë të qitjes. Pamje filmike nuk ka pasur. S’më duket asnjë provë bindëse për të provuar akuzat e prokurorisë. Ai është i pafajshëm në këtë situatë”- ka thënë Zeni Qinami avokati i Eljon Hatos.

Mësohet se në orën 12:00 pritet t’i komunikohet masa e sigurisë nga spitali Ervis Martinajt, ndërsa në orën 14:00 do t’i komunikohet masa shokut të tij Eljon Hato. Masa do komunikohet nga dy prokurorët e çështjes Kreshnik Ajazi dhe Artan Lulo.

Gjatë ditës së djeshme Prokuroria mori në pyetje në spital biznesmenin e basteve Ervis Martinajn për të hedhur më shumë dritë mbi ngjarjen. Burime nga Prokuroria bëjnë me dije se akuza do kërkojë arrest në burg për Martinajn si dhe për mikun e tij që ndodhet në spital në gjendje kritike Eljon Haton.

Dyshohet se ‘mollë sherri’ për konfliktin mes 7 personave ka qenë ngacmimi i këngëtares Elvana Gjata, e cila ndodhej në lokal bashkë me të dashurin e saj, i cili është në kërkim. Megjithatë policia dhe prokuroria janë duke hetuar edhe për një konflikt të mëparshëm mes palëve.

I arrestuar në Kakavijë në tentativë për t’u larguar:

-Galdo Hoti

Të plagosur dhe në masë arresti:

– Ervis Martinaj, 36 vjeç, banues në Tiranë

– Eljon Hate, 28 vjeç, banues në Shkodër

Në kërkim:
– Ervin Mata, 31 vjeç, banues në Tiranë ( I dashuri i Elvana Gjatës)

– Fabio Allushi, 42 vjeç, banues në Tiranë;

– Mevjol Bilo, 41 vjeç, banues në Tiranë; (Komando dhe truprojë i Elvana Gjatës, autor i dyshuar i vrasjes së Fabian Gaxhës)

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb