Një ngjarje tronditëse ishte ajo që ndodhi mëngjesin e sotëm në Mat, ku 23-vjeçari Renis Dobra u gjet i pajetë në liqenin e Shkopetit. Në një prononcim për News24, banore të fshatit janë shprehur të prekura nga rasti, ndërsa e kanë vlerësuar familjen e te ndjerit një nga më të mirat në fshat.

“E morëm vesh tek News24 që e kanë vrarë. Ne jemi bashkëfshatarë. Ai ka qenë fëmijë, është bërë krim. Si familje ka qenë shumë e mirë, ai ka qenë mirë, fëmija rregullohet. Ka qenë një familje nga më të mirat në fshat”, u shprehën ato.

Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Madhesh të Ulzës, ku 23-vjeçari u gjet i vrarë buzë Liqenit të Shkopetit, ndërsa automjeti i tij kishte përfunduar në ujë. Familjarët e 23-vjeçarit Renis Dobra kishin humbur kontaktet me të mbrëmjen e së martës, dhe bënë kallëzim në polici për zhdukjen e tij, ndërsa trupi i pajetë i të riut u gjet mëngjesin e së mërkurës nga një banor i fshatit Madhesh, i cili më pas ka njoftuar uniformat blu.

Me marrjen e njoftimit, shërbimet e Policisë së Matit u nisën drejt vendngjarjes, ku në drejtimin e Prokurorisë së Dibrës mblodhën provat që mund t’i çojnë drejt zbardhjes së krimit makabër.

Gjithashtu, policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë nga fshati Zenisht deri në hyrje të Burrelit, ku në pamjet filmike dallohen se në rrugën e vjetër Burrel-Tiranë kanë qarkulluar me shpejtësi njëri pas tjetrit dy automjete. Automjeti i parë dyshohet se drejtohej nga viktima, ndërsa autorët e vrasjes e kanë ndjekur pas dhe i kanë zënë pritë, duke e ndaluar në rrugë.

Dyshohet se autorët kanë hapur me forcë automjetin e të riut dhe e kanë dhunuar brenda tij. Një grup ekspertësh nga Tirana, së bashku me mjekun ligjor shkuan në vendngjarje dhe nga këqyra paraprake e të trupit të 23-vjeçarit Renis Dobra, kanë konstatuar disa plagë në gjoks dhe në kokë, si dhe një mavijosje përreth qafës.

News24 ka mësuar se 23-vjeçari Renis Dobra është kthyer nga Gjermania rreth 6 muaj më parë, ndërsa familjarët në dëshminë e parë kanë pohuar se nuk kanë dijeni që djali të ketë pasur konflikte me persona të tjerë.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb